Aktorët e njohur Ben Affleck dhe Jennifer Lopez janë rikthyer sërish në qendër të mediave rozë, pas një zhvillimi të ri lidhur me ndarjen e tyre.
Sipas raportimeve të fundit, Affleck ka transferuar të gjithë pjesën e tij të pronësisë në vilën luksoze në Beverly Hills tek ish-bashkëshortja e tij, Lopez. Prona, e vlerësuar rreth 60 milionë dollarë, tashmë i përket plotësisht artistes.
Mësohet se ky transferim është bërë pa kompensim financiar dhe është pjesë e marrëveshjes së divorcit, e cila u finalizua gjatë vitit 2025.
Vila në fjalë kishte qenë për një kohë të gjatë në treg, pasi ish-çifti kishte hasur vështirësi për ta shitur, edhe pas uljes së çmimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur blerës.
Ky zhvillim shihet si një hap përmbyllës në ndarjen e tyre, duke i dhënë fund një prej historive më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar./KultPlus.com



