Zelenski kërkon edhe 70 miliardë euro ndihmë nga BE-ja për vitin 2027

Advertisement

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, sot u kërkoi liderëve të Bashkimit Evropian mbështetje shtesë financiare për vitin e ardhshëm.

“Lufta vitin e ardhshëm do të kushtojë 155 miliardë euro, ndërsa nga ju na nevojiten të paktën edhe 70 miliardë euro për mbrojtjen, armatimin dhe qëndrueshmërinë tonë”, u tha Zelenski liderëve të BE-së në samitin në Bruksel.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një shumë realiste dhe u bëri thirrje liderëve evropianë që ta sigurojnë këtë mbështetje.

Ministri ukrainas i Financave, Serhij Marçenko, muajin e kaluar deklaroi se Ukrainës i mungojnë 32,6 miliardë dollarë për mbështetje ekonomike dhe 45 miliardë dollarë për mbrojtjen.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian krijoi një paketë kredish në vlerë të përgjithshme prej 90 miliardë eurosh për të mbështetur Kievin gjatë viteve 2026 dhe 2027. Njëkohësisht, Brukseli po u bën thirrje aleatëve ndërkombëtarë të Ukrainës që ta rrisin financimin për vendin.

Dje, në prag të bisedimeve me kolegët e tij nga BE-ja, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Evropa do të duhet ta rrisë mbështetjen financiare për Ukrainën.

Nga ana tjetër, liderët e BE-së i thanë Zelenskit se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e tyre dhe se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten në fuqi derisa Moska t’i japë fund luftës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit