Drejt Strasburgut: Dr. Betim Jahja nominohet për përfaqësues të vendit në Këshillin Evropian të Gjyqtarëve

Advertisement

 

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, me propozim të Shoqatës së Gjyqtarëve, ka nominuar dr. Betim Jahjan, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe doktor i shkencave juridike në fushën e së drejtës penale, për përfaqësues të shtetit në Këshillin Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë (KKGJE), organ këshillimor pranë Këshillit të Evropës, me seli në Strasburg të Francës.
Dr. Betim Jahja është gjithashtu anëtar i Asociacionit Amerikan të Alumnit. Nominimi i tij synon të kontribuojë në forcimin e përfaqësimit të vendit në mekanizmat evropianë të drejtësisë dhe në afirmimin e ekspertizës profesionale të gjyqësorit vendor në nivel evropian.
Ministri Shasivari vlerëson se ky nominim shpreh përkushtimin institucional ndaj vlerave dhe standardeve evropiane në drejtësi, si dhe gatishmërinë e vendit për të marrë pjesë aktive në proceset e zhvillimit dhe avancimit të tyre.
“Integrimi evropian nuk nënkupton vetëm përafrimin me standardet e përbashkëta, por edhe pjesëmarrjen aktive në zhvillimin dhe zbatimin e tyre. Përfaqësimi në mekanizmat evropianë të drejtësisë është mundësi për të forcuar bashkëpunimin institucional dhe për të afirmuar ekspertizën juridike të vendit tonë në nivel evropian”, thekson Shasivari.
Ministri i Drejtësisë i ka uruar dr. Betim Jahjas sukses në ushtrimin e kësaj përgjegjësie, duke shprehur pritjen që kontributi i tij të ndihmojë në avancimin e standardeve evropiane të gjyqësorit, pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të së drejtës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit