Ka përfunduar seanca e parë gjyqësore ku në bankën e të akuzuarve u ul 25-vjeçari Trajko Bojkovski. Ai akuzohet për vrasjen e katër grave në rajonin e Kumanovës në një periudhë prej më shumë se një viti, ndërsa Prokuroria pretendon se motivi kryesor ishte nekrofilia, gjegjësisht kënaqja e epsheve të ulëta mbi trupat e pajetë. Seanca e radhës është caktuar për më 31 gusht në Gjykatën Penale të Kumanovës.
Sot, pas përfundimit të gjykimit, prokurori Ljubomir Lape deklaroi se ky rast është specifik sepse është i vetmi në rajon në praktikën gjyqësore, ku një vrasës serik ka qenë i motivuar kryesisht nga nekrofilia. Në praktikën botërore ka pasur disa raste të tilla, të cilat Prokuroria i ka shfrytëzuar për të ngritur teorinë e rastit. Motivin, tha ai, do ta vërtetojë përmes raporteve të autopsisë, ekspertizës psikiatrike dhe dëshmive të dy grave të mbijetuara.
I pyetur nëse gjatë hetimit Prokuroria ka marrë pranim të fajësisë nga Bojkovski, prokurori tha se nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje derisa të paraqiten provat në kuptimin procedural.





