Mevlan Ademi: S’kemi kohë për lojra poltike, ka mundësi ti kthehemi rrugës

Advertisement

Mevlan Ademi nga Lidhja Studentore, ka reaguar edhe një herë në rrjetet sociale pas takimit të sotëm me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, ku u diskutua për propozimligjin e ri për provimin e jurisprudencës. Ai vlerëson se propozimi aktual nuk garanton zgjidhje të plotë për mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe.

Sipas Ademit, qëndrimet e shprehura më herët nga zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Arben Fetai janë lënë në harresë, ndërsa mbetet i pandryshuar qëndrimi i shprehur nga kryeministri në shkurt, lidhur me Komisionin e Venecias.

Ai thekson se propozimi nuk parasheh mbajtjen e provimit 100 për qind në gjuhën shqipe, nuk përcakton afat kohor për zbatimin e tij, si dhe anashkalon Kushtetutën dhe ligjet ekzistuese. Sipas tij, për provimet e tjera ende nuk janë ndërmarrë hapa konkretë.

“E çfarë duhet të bëjmë ne tani?”, shtron pyetjen Ademi, duke vënë në dukje se, megjithëse ka përparim në qasjen ndaj kësaj çështjeje, zgjidhja mbetet e paplotë.

Ai e konsideron pozitive ndryshimin e diskursit, duke kujtuar se nga qëndrimi i ministrit të Drejtësisë, Filkov, se provimi mund të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase, është kaluar te propozimi 50 me 50 i kryeministrit Hristijan Mickoski, ndërsa tani, sipas tij, është arritur në një propozim që parasheh 84 për qind të përmbajtjes në gjuhën shqipe.

“Rruga është e mirë, por e vështirë”, shprehet Ademi, duke theksuar se për një zgjidhje të plotë është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë.

Megjithatë, ai nënvizon se studentët nuk kanë kohë të humbin me lojëra politike dhe paralajmëron mundësinë e rikthimit në protesta, nëse nuk gjendet një zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre.

“Ne studentët nuk kemi kohë të humbim me lojëra politike dhe ndoshta do të organizohemi sërish për t’iu kthyer rrugës”, ka reaguar Ademi nga Lidhja Studentore. /Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit