Viktor Stojanov ka njoftuar se përmes shitjes së produkteve të markuara me emrin e fondacionit të tij bullgar „Maqedonia“ synon të sigurojë financim për një rrjet mediash në Maqedoninë e Veriut.
Në një video-mesazh, Stojanov tha se tashmë kanë nisur të shiten bluza me logon e fondacionit, me çmim prej 20 eurosh. Sipas tij, në periudhën e ardhshme do të ofrohen edhe bluza dimërore për 25 euro, filxhanë porcelani për kafe dhe çaj për 6 euro, si dhe kapele.
Ai deklaroi se të ardhurat nga shitjet do të përdoren për aktivitetet e fondacionit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa një nga synimet e deklaruara është krijimi i një partie politike të bullgarëve në vend.
Stojanov tha se për financimin e rrjetit mediatik nevojiten të paktën 3.000 euro në muaj dhe se qëllimi është që kjo strukturë politike të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat sipas afatit të rregullt pritet të mbahen në vitin 2028.
“Kemi shumë media në Maqedoninë e Veriut, duam edhe më shumë, duam t’i ndihmojmë bullgarët atje që të krijojnë një parti të tyre të fuqishme politike”, deklaroi Stojanov, duke shtuar se ideja për krijimin e kësaj partie daton që nga viti 2021.






