Vetëm 62% e nxënësve të vaksinuar kundër fruthit

Advertisement

Vetëm 62 për qind e nxënësve në vend janë të vaksinuar kundër fruthit, përqindje kjo dukshëm nën nivelin prej 95 për qind që konsiderohet i nevojshëm për mbrojtje të mjaftueshme të popullatës.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka paralajmëruar për rrezikun e rritjes së rasteve me fruth, veçanërisht duke marrë parasysh shtimin e rasteve në Kosovë dhe Bullgari.

Ai u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët, duke kujtuar se në vitet e kaluara në disa shkolla dhe çerdhe janë paraqitur epidemi për shkak të nivelit të ulët të vaksinimit.

Sipas autoriteteve shëndetësore, fruthi mund të shkaktojë komplikime si temperaturë të lartë, diarre dhe dehidrim, infeksione të mushkërive, si dhe dobësim të sistemit imunitar.

“Ne paralajmëruam për rrezikun, pasi në Kosovë dhe Bullgari tashmë ka rritje të numrit të rasteve. Instituti i Shëndetit Publik po i zbaton të gjitha aktivitetet e nevojshme për informim, megjithatë, veçanërisht në disa zona urbane, kemi kundërshtim të fuqishëm ndaj vaksinimit”, deklaroi Klekovski.

Ministri theksoi se nevojitet një qasje më analitike për të kuptuar arsyet e nivelit të ulët të vaksinimit në disa zona.

“Është sfidë që duhet ta trajtojmë në mënyrë më analitike, sepse nuk ka logjikë që në disa zona më pak të zhvilluara të kemi shkallë shumë të lartë të vaksinimit, edhe me vaksinën HPV, ndërsa në zonat më të zhvilluara, ku niveli i arsimimit është më i lartë, të kemi shkallë më të ulët të vaksinimit”, tha Klekovski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit