Më 23.10.2026, në periudhën nga ora 04:00 deri në orën 16:00, zyrtarët policorë të Stacionit Policor të Përgjithshëm në Shtip, pranë Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Shtip, zhvilluan një aksion për zbulimin dhe parandalimin e prerjes së paligjshme të drurëve, shkatërrimit të pyjeve dhe transportit të paligjshëm të druve për ngrohje.
Aksioni u zhvillua në rrugët që të çojnë drejt malit të Pllackovicës, si dhe në territoret e fshatrave përreth.
Gjatë aksionit, në fshatin Kallauzlija, u ndalua një automjet i markës „Ford“, i drejtuar nga L.S. nga Shkupi, me qëndrim në Shtip. Gjatë kontrollit u gjetën dru për ngrohje pa dokumentacionin përkatës. Automjeti dhe drutë u sekuestruan dhe iu dorëzuan Policisë Pyjore.
Në territorin e fshatit Kucicë, u gjet një automjet i braktisur i tipit „Mitsubishi“, në të cilin ishin vendosur dru për ngrohje. Automjeti u sekuestrua dhe u dërgua në oborrin e Stacionit Policor të Përgjithshëm Shtip, pranë SPB Shtip, me qëllim të përcaktimit të pronësisë dhe verifikimit të lidhjes së mundshme me ndonjë vepër penale.
Gjithashtu, në një lokacion tjetër në territorin e fshatit Kucicë, u gjetën dru për ngrohje të depozituara.
Ndërkaq, në territorin e fshatit Radanje, në bashkëpunim me Policinë Pyjore, u gjetën dru për ngrohje pa vulën përkatëse, të depozituara në oborrin e një shtëpie në pronësi të D.A. nga fshati Radanje. Drutë dyshohet se kanë origjinë nga prerja e paligjshme.
Drutë u sekuestruan dhe iu dorëzuan punonjësve të Ndërmarrjes Publike „Pyjet Kombëtare“, dega „Serta“ – Shtip.
Pas zbardhjes së plotë dhe dokumentimit të rasteve, do të pasojnë kallëzimet përkatëse.








