Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë, pas disa të shtënave me armë zjarri në periferi të Parisit, në Francë. Autoritetet franceze po hetojnë ngjarjen si një vepër të mundshme terroriste, ndërsa i dyshuari për sulmin është arrestuar.
Mes të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare, ndërsa tre persona ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Të shtënat raportohet se ndodhën në disa zona të qytetit, përfshirë një pikë karburanti, një qendër mjekësore dhe një kënd lojërash për fëmijë. Më pas, i dyshuari vijoi lëvizjen drejt La Verrière, ku u arrestua nga policia në rrugën kryesore N10.
Kryebashkiaku Rabeh deklaroi se agresori dukej se kishte synuar të shkaktonte sa më shumë viktima. Ai ngriti gjithashtu dyshime se sulmi mund të ketë pasur motive raciste dhe islamofobe, duke iu referuar prejardhjes së disa prej viktimave.
Megjithatë, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm lidhur me identitetin e viktimave dhe motivet e mundshme të sulmit.








