Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, ka theksuar nevojën që të rinjtë të kenë rol më të madh në krijimin e politikave dhe proceset e vendimmarrjes.
Duke folur në aktivitetin përmbyllës të projektit “Politikat rinore sipas nevojave të të rinjve” në Manastir, Vellkovski tha se të rinjtë nuk duhet të konsiderohen vetëm si e ardhmja, por edhe si pjesë aktive e së tashmes së vendit.
Projekti synon të rrisë pjesëmarrjen e të rinjve dhe organizatave të shoqërisë civile në hartimin e politikave në nivel lokal dhe kombëtar.
Në kuadër të tij, nëntë komuna të rajonit të Pellagonisë, organizata të shoqërisë civile dhe të rinj kanë krijuar Platformën Rajonale për të Rinj. Përmes pesë sesioneve të platformës janë miratuar 24 masa prioritare, prej të cilave 13 tashmë janë zbatuar.
Masat përfshijnë fusha si arsimi, sporti, transporti publik dhe mobiliteti, shëndeti, kultura, turizmi, mbrojtja e mjedisit, vullnetarizmi dhe sipërmarrja rinore.
“Rezultati më i rëndësishëm nuk është vetëm numri i masave të realizuara. Më e rëndësishmja është se është vendosur një proces në të cilin të rinjtë shprehin nevojat e tyre, ndërsa institucionet, vetëqeverisja lokale dhe sektori civil bashkërisht kërkojnë zgjidhje”, deklaroi Vellkovski.
Ai shtoi se përvoja nga rajoni i Pellagonisë mund të shërbejë si bazë për avancimin e politikave rinore edhe në nivel kombëtar.






