Temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, me mot kryesisht me diell dhe temperatura që në disa zona do të arrijnë deri në 39 gradë Celsius përcjell INA.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti do të jetë me diell dhe me vranësira të pakta deri mesatare lokale, ndërsa do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi lindor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 14 deri në 21 gradë, ndërsa ato maksimale nga 32 deri në 39 gradë Celsius.
Në Shkup pritet mot me diell dhe temperatura që do të lëvizin nga 21 deri në 38 gradë Celsius.
Megjithatë, nga pasditja e së mërkurës pritet ndryshim i motit nën ndikimin e aktivitetit ciklonik. Meteorologët paralajmërojnë reshje të përkohshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Lokalisht janë të mundshme stuhi me reshje intensive shiu, breshër dhe shkarkime të fuqishme elektrike.
Nga dita e enjte do të fryjë erë e përforcuar nga veriu, veçanërisht përgjatë luginës së Vardarit, ku në disa momente shpejtësia e erës mund të tejkalojë 50 kilometra në orë.
Autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar gjatë periudhës së motit të paqëndrueshëm, veçanërisht në zonat ku priten stuhi dhe reshje intensive.(INA)





