Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh po punon për zhvillimin e një vaksine kundër hantavirusit, pas shpërthimit të fundit të virusit të transmetuar nga brejtësit në anijen turistike luksoze MV Hondius, ku humbën jetën tre persona.
Aktualisht nuk ka një vaksinë të miratuar apo një kurë specifike për hantavirusin. Në rastet më të rënda, infeksioni mund të përparojë në sindromën pulmonare nga hantavirusi, një gjendje serioze që prek mushkëritë dhe mund të jetë fatale për një përqindje të lartë pacientësh.
Shkencëtarët në Universitetin e Bath kanë zhvilluar një antigjen të ri kundër sëmundjes Hantaan, e cila i përket grupit të hantaviruseve. Vaksina është testuar në laborator dhe në modele shtazore, ku sipas studiuesve ka dhënë përgjigje shumë të mira imunitare.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojitet ende punë e mëtejshme, përfshirë prova klinike të kontrolluara, përpara se vaksina të mund të miratohet për përdorim te njerëzit.
Profesoresha Asel Sartbaeva, pjesë e projektit, u shpreh se zhvillimi i një vaksine do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për parandalimin e rasteve të reja ose të paktën për zbutjen e pasojave më të rënda të infeksionit.
Deri tani, ndërhyrja e hershme mjekësore mbetet mënyra kryesore për të menaxhuar virusin. Problemi është se simptomat fillestare shpesh ngatërrohen me gripin ose Covid-in, duke bërë që disa pacientë të kërkojnë ndihmë vetëm kur sëmundja ka përparuar.
Në fazat e avancuara, trajtimi mund të përfshijë oksigjenoterapi, ventilim mekanik dhe në disa raste dializë, sidomos kur infeksioni shkakton dëmtim të mushkërive apo insuficiencë të veshkave…





