Universiteti i Tetovës i nderon profesorët për kontributin e tyre shumëvjeçar

Advertisement

Në përfundim të angazhimit të tyre shumëvjeçar akademik të Prof. Dr. Zeqirja Idrizit, Prof. Dr. Abdylnaser Sinanit, Prof. Dr. Mixhait Pollozhanit, Prof. Dr. Fatmir Sulejmanit, Prof. Dr. Elmi Jusufit, Prof. Dr. Jasna Teofillovskës dhe Prof. Dr. Shazim Memedit, Universiteti i Tetovës organizoi një takim nderimi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të UT-së.

Në fillim të këtij organizimi, profesorët u pritën në Rektorat nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Sekretari i Përgjithshëm z. Adem Beadini. Me këtë rast, drejtuesit e Universitetit shprehën mirënjohjen e thellë për punën, angazhimin dhe përkushtimin shumëvjeçar të profesorëve, duke vlerësuar rolin e tyre në konsolidimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës si institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vendin tonë.

 

Pjesa e dytë e takimit përshëndetës u zhvillua në Këndin e Kujtesës të Fakultetit Filozofik, një hapësirë e veçantë që ruan dhe promovon kujtesën institucionale të këtij fakulteti. Në këtë kënd janë ekspozuar portretet e dekanëve ndër vite, si dhe portreti i themeluesit dhe Rektorit historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

 

Rektori dhe Prorektori veçuan kontributin e Prof. Dr. Zeqirja Idrizit dhe Prof. Dr. Abdylnaser Sinanit në veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit, duke theksuar se puna dhe përkushtimi i tyre kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë dhe zhvillimin e këtij institucioni.

 

Në veçanti u kujtuan vitet e para të funksionimit të Universitetit të Tetovës, kur Prof. Dr. Zeqirja Idrizi e drejtoi me vendosmëri dhe sukses Fakultetin Filozofik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në konsolidimin e tij institucional dhe akademik. Po ashtu, u vlerësua edhe angazhimi i Prof. Dr. Abdylnaser Sinanit dhe kontributi i tij në mbarëvajtjen dhe zhvillimin e kësaj njësie akademike.

 

Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, theksoi se ky organizim është shprehje e mirënjohjes institucionale për kontributin e dy profesorëve në themelimin, konsolidimin dhe ngritjen e Fakultetit Filozofik në nivelin që gëzon sot. Ai evokoi kujtime për funksionimin e fakultetit, duke veçuar sfidat e shumta, punën e palodhur dhe sukseset e përbashkëta që kanë shoqëruar rrugëtimin e tij.

 

Vlerësime për veprimtarinë akademike dhe institucionale të Prof. Dr. Zeqirja Idrizit dhe Prof. Dr. Abdylnaser Sinanit përcollën edhe ish-dekani Prof. Fadbi Osmani dhe Prof. Dr. Reshat Qahili, të cilët u ndalën në kontributin e tyre shumëvjeçar dhe në rolin që kanë pasur në jetën akademike të Fakultetit Filozofik dhe të Universitetit të Tetovës.

 

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për punën e tyre, Rektori dhe Sindikata e Punonjësve të Universitetit të Tetovës profesorëve u ndanë Mirënjohje dhe nga një dhuratë simbolike.

 

Kryetari i Sindikatës, Prof. Dr. Shefket Dehari, theksoi se përcjellja e profesorëve në pension duhet të shndërrohet në një traditë institucionale, përmes së cilës Universiteti shpreh respektin dhe mirënjohjen për gjeneratat e pedagogëve që kanë kontribuuar në ndërtimin dhe forcimin e tij.

 

Ky takim ishte vlerësim për një etapë të rëndësishme të jetës akademike të profesorëve tanë, por njëkohësisht edhe një dëshmi e respektit institucional për brezat e pedagogëve që me dijen, punën dhe përkushtimin e tyre kanë ndërtuar historinë e Universitetit të Tetovës.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit