Dy persona kanë shkaktuar incident në një kazino në zonën e Kisella Vodës në Shkup, ku dyshohet se kanë shqetësuar mysafirët dhe kanë dëmtuar inventarin.
Sipas denoncimit të bërë në polici, njëri prej tyre ka hedhur një telefon celular në drejtim të një gruaje, por nuk e ka goditur.
Dyshimet janë se personat kanë dëmtuar edhe një pjesë të inventarit dhe kanë aktivizuar aparatet kundër zjarrit. Si pasojë, disa mysafirë dhe punonjës kanë pasur vështirësi në frymëmarrje.
Ata janë dërguar për ndihmë mjekësore në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Nga SPB Shkup bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.






