Tragjedi në Kretë, humb jetën një turiste holandeze pasi ra nga një varkë

Advertisement

Një 42-vjeçare nga Holanda ka humbur jetën në një ngjarje tragjike në zonën detare të Malias, në ishullin e Kretës, pasi ra nga një varkë që kishte marrë me qira së bashku me një shoqe dhe tre fëmijë.

Sipas mediave greke, dy gratë kishin marrë me qira një varkë me motor 30 kuaj fuqi dhe kishin dalë për një shëtitje në det. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse viktima kishte hyrë në ujë për të notuar apo kishte rënë aksidentalisht nga varka.

Kur shoqja e saj vuri re se gruaja nuk po dilte në sipërfaqe, ajo u hodh menjëherë në det për ta ndihmuar. Ndërkohë, tre fëmijët që ndodheshin në varkë kërkuan ndihmë nga mjetet lundruese që kalonin pranë.

Personat që mbërritën të parët në vendngjarje e gjetën 42-vjeçaren pa shenja jete, ndërsa po mbahej nga shoqja e saj. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, mjekët konstatuan vdekjen e saj.

Shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë, e cila pritet të sqarojë nëse viktima humbi jetën si pasojë e mbytjes apo për shkak të një problemi shëndetësor.

Autoritetet portuale kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sipas rregullave në fuqi në Greqi, për drejtimin e varkave me motor deri në 30 kuaj fuqi nuk kërkohet licencë, çka bën që ato të përdoren shpesh nga turistët për lundrime të shkurtra.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit