Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se është siguruar konstrukcioni financiar që mundëson realizimin e plotë të segmentit të tretë të hekurudhës në kuadër të Korridorit VIII, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend përcjell ora24.tv
Sipas saj, ky projekt nuk do të përmirësojë vetëm lidhjen hekurudhore dhe transportin rajonal, por do të kontribuojë edhe në integrimin ekonomik, lëvizjen më të lehtë të njerëzve dhe mallrave, si dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Ajo theksoi se mjetet për realizimin e projektit janë siguruar me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, institucione që prej vitesh mbështesin zhvillimin e infrastrukturës, energjetikës, ujësjellësit dhe sektorit privat në vend.
“Mbështetja e këtyre institucioneve është dëshmi e besimit në politikat tona dhe në përkushtimin për të modernizuar infrastrukturën hekurudhore dhe për të avancuar sistemin e transportit”, u shpreh Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja nënvizoi se realizimi i projekteve strategjike kërkon jo vetëm vullnet politik, por edhe një kornizë të qëndrueshme financiare. Ajo rikujtoi se me ribalancin e Buxhetit për vitin 2026 janë siguruar edhe 5.8 miliardë denarë shtesë për shpenzime kapitale, ose 14.3 për qind më shumë krahasuar me planifikimin fillestar.
Sipas saj, këto investime do të rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë, do të përmirësojnë lidhjet rajonale dhe do të krijojnë kushte për një standard më të lartë jetese për qytetarët, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin e financave publike./ora24.tv






