31.8 C
Skopje
Sunday, June 15, 2025

Toshkovski: Ata që lanë policët me uniforma të arnuara na akuzojnë pse menaxhojmë me transparencë!

 

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ka reaguar në rrjetet sociale duke i quajtur si të pabaza akuzat e LSDM-së dhe partësë “LEVICA” lidhur me procedurat e tenderit për uniformat e policisë, informon Ora24.tv.

Toshkovski shkruan se, akuzat vijnë nga ata që kur ishin në pushtet, “Lanë policët pa uniforma ose me uniforma të arnuara”.

Ai po ashtu spjegon të gjithë procedurën e tenderimit, për të cilën thekson se ka qenë tepër transparente dhe u ka krijuar hapësirë të barabartë për pjesëmarrje në tenderim të gjitha kompanive, duke përfshirë edhe kompanitë e vogla dhe të mesme.

Reagimi i plotë i ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski:

Të nderuar qytetarë,

Gjatë muajve të kaluar, përveçse ishim tërësisht të përkushtuar në luftën e pamëshirshme kundër krimit dhe korrupsionit – një luftë që e zhvillojmë pa kompromis – kemi punuar intensivisht për të pastruar rrëmujën, neglizhencën dhe padrejtësitë që ishin lënë brenda vetë Ministrisë, pikërisht nga ata që sot na sulmojnë më zëshëm.

Dhe pikërisht tani, kur më në fund po e rikthejmë dinjitetin e policisë së Maqedonisë, hap pas hapi, me zgjidhje konkrete, kushte më të mira, uniforma dhe pajisje të reja, po ata që i lanë policët pa uniforma, të detyruar t’i qepin, rregullojnë ose huazojnë pjesë nga kolegë të pensionuar, kanë guxim të flasin për tenderë të supozuar kriminalë. Ata që heshtnin ndërsa sistemi shpërbëhej, sot shtiren të shqetësuar. Në dëshpërimin e tyre, shpikin gënjeshtra dhe përpiqen të hedhin hije mbi gjithçka që më në fund po lëviz përpara, sepse e dinë që koha e pandëshkueshmërisë, kaosit dhe tenderëve të montuar KA PËRFUNDUAR.

Sa i përket akuzave lidhur me tenderin për blerjen e uniformave për njësitë speciale, është me rëndësi që qytetarët t’i dinë faktet, qartë, saktë dhe pa manipulime politike. Së pari, duhet theksuar se MPB nuk ka lidhur kontratë për pagesë direkte, njëherëshe, të shumës së përmendur, por është lidhur një marrëveshje kornizë që paraqet vlerën maksimale për furnizime në tre vitet e ardhshme. Kjo është një dallim thelbësor – marrëveshja kornizë nuk krijon obligim financiar të menjëhershëm për Ministrinë; detyrimet financiare lindin vetëm kur ka nevojë reale dhe lidhen kontrata të veçanta për porosi konkrete, me dinamikë të dorëzimit sipas nevojave.

Gjithashtu, një nga “kritikat” kryesore është pse nuk është kërkuar përvojë shumëvjeçare ose numër më i madh i të punësuarve. Logjika jonë është e qartë dhe është ekskluzivisht në interes të shtetit – të nxitet konkurrenca dhe qasja e drejtë. Kriteret tepër të rrepta shpesh përjashtojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat në Maqedoni janë më konkurruese dhe shpesh mund të ofrojnë çmime më të mira. Qëllimi ynë është të marrim cilësinë më të mirë për çmimin më të volitshëm, dhe këtë e arrijmë duke mundësuar pjesëmarrje më të gjerë të operatorëve ekonomikë. Ligji për prokurime publike nuk parashikon përjashtimin e një firme vetëm pse është e regjistruar rishtas apo ka më pak të punësuar – dhe ne veprojmë plotësisht në përputhje me dispozitat e tij.

Në vend që të fokusohemi vetëm në historikun e ofertuesve, ne u përqendruam në atë që është më e rëndësishme – cilësinë reale të produktit. Prandaj, kushtet kryesore ishin dorëzimi i mostrave dhe analizave laboratorike. Çdo ofertues ishte i detyruar të dorëzonte mostra të uniformave dhe pjesëve përkatëse, ndërsa mostrat iu nënshtruan analizave dhe testimeve nga laboratorë të pavarur dhe të akredituar. Po ashtu, është me rëndësi të theksohet se specifikimet teknike për uniformat dhe pjesët e tyre janë të rregulluara me një Rregullore të publikuar në Gazetën Zyrtare. Kjo do të thotë se ato janë të standardizuara dhe nuk ka mundësi ndikimi mbi përmbajtjen e tyre, gjë që siguron qasje të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.

Përveç cilësisë, faktor kyç është edhe çmimi. Analiza tregoi se dallimi mes çmimit më të lartë dhe atij më të ulët në këtë procedurë është 14,4% për pjesën 1 dhe 27,9% për pjesën 2 të blerjes, çka dëshmon për konkurrencën e tenderit dhe çmimet e favorshme të arritura. Për të siguruar garanci shtesë, për çdo porosi të veçantë kërkohet garanci bankare prej 5% të vlerës së asaj porosie të caktuar. Ky është një mekanizëm shtesë për mbrojtjen e mjeteve buxhetore dhe sigurimin e cilësisë dhe dorëzimit me kohë. E gjithë procedura ishte maksimalisht transparente, me zgjatje të afatit për dorëzimin e ofertave nga 32 në 55 ditë, për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë. Për më tepër, procedura ishte objekt i kontrollit administrativ të detyrueshëm nga Byroja për Prokurime Publike, ku nuk u konstatuan parregullsi.

Është e qartë se sulmet që përhapen këto ditë nuk janë rezultat i ndonjë shqetësimi të vërtetë për ligjshmërinë, por një përpjekje për ndërtim politik dhe devijim nga reformat e vërteta. Në vend të ideve dhe zgjidhjeve, po shohim sulme të koordinuara, dezinformata dhe akuza pa baza, të gjitha me qëllim që të hidhet hije mbi procese që për herë të parë zhvillohen me transparencë dhe llogaridhënie të plotë. Kur LSDM dhe E Majta, parti me retorika dhe interesa të kundërta, gjenden në të njëjtën anë, kjo nuk është rastësi, por dëshmi se jemi në rrugën e duhur.

MPB, nën drejtimin tim, do të vazhdojë të punojë profesionalisht, me përgjegjësi dhe në përputhje të plotë me ligjet, me fokus të qartë në sigurinë dhe ndërtimin e një sistemi që do të sigurojë rend, siguri dhe besim në institucionet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit