Një zyrtar policor i Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup dyshohet se ka shpërdoruar pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 85.500 denarësh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë periudhës nga prilli deri në korrik, polici dyshohet se ka pranuar në para të gatshme pagesa për gjoba nga qytetarët në Ndërmarrjen Publike “Parkingjet e Qytetit”, pa i regjistruar ato përmes terminalit POS, siç parashihet.
Nga hetimet paraprake dyshohet se një pjesë e mjeteve të mbledhura nuk janë dorëzuar dhe janë përvetësuar nga zyrtari. Gjithashtu, ai dyshohet se në disa raste ka përdorur dëshmi pagesash që u përkisnin rasteve të tjera.
Prokuroria dyshon edhe se polici u ka mundësuar disa personave të paguanin shuma më të ulëta të gjobave ose të shmangnin pagesën e tyre.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh ndaj të dyshuarit.






