Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lavdëruar Shërbimin Sekret pasi u qëlluan të shtëna në darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë nga një burrë “i armatosur me disa armë”.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Trump ishte shënjestra e sulmit, por më vonë ai e krahasoi veten me ish-presidentin amerikan Abraham Lincoln, i cili u vra në vitin 1865.
“Kam studiuar vrasjet dhe duhet t’ju them se njerëzit me më shumë ndikim, njerëzit që bëjnë më shumë, janë ata që janë në shënjestër”, deklaroi Trump.
Presidenti i ka mbijetuar të shtënave dhe kërcënimeve të shumta kundër jetës së tij gjatë dekadës së fundit.
Shkurt 2026
Një burrë u qëllua për vdekje nga Shërbimi Sekret pasi u përpoq të “hynte në mënyrë të paligjshme” në pronën e Donald Trump në Mar-a-Lago në Florida.
Austin Tucker Martin, 21 vjeç, i cili ishte i armatosur me një pushkë gjahu, e kishte ngritur armën e tij “në pozicion qitjeje” përpara se të qëllohej, sipas zyrtarëve të Qarkut Palm Beach.
Besohej se Martin kishte udhëtuar nga Karolina e Veriut, dhe kushëriri i tij më vonë e përshkroi familjen si “mbështetës të mëdhenj të Trumpit”.
Donald dhe Melania Trump ishin në Uashington në kohën e incidentit.
Shtator 2024
Një burrë i fshehur në shkurre me një pushkë të tipit AK-47 u përpoq të vriste Trumpin ndërsa ky i fundit luante golf në West Palm Beach, Florida.
Ryan Routh, 59 vjeç, iku dhe braktisi një pushkë sulmi, por u arrestua po atë ditë.
Ai u burgos më vonë për jetë pa të drejtë lirimi me kusht. Raportohet se Routh u përpoq të godiste veten me thikë në qafë me një stilolaps pasi u shpall vendimi.
Korrik 2024
Trump i shpëtoi për pak një atentati në Butler të Pensilvanisë, pasi u qëlluan tetë të shtëna ndërsa ai fliste në tubimin e fushatës.
Menjëherë pasi u luajt kënga “God Bless The USA” dhe rreth tetë minuta pasi Trump filloi të fliste, ai u qëllua dhe u plagos në pjesën e sipërme të veshit të djathtë, duke i shkaktuar “shumë gjakderdhje”.
Një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy të tjerë u plagosën rëndë në sulm.
Imazhet e Trumpit të gjakosur duke treguar grushtin drejt turmës pas të shtënave u shpërndanë gjerësisht pas incidentit.
Korrik 2024
Një burrë pakistanez u dënua për planifikimin e vrasjes së Donald Trump dhe politikanëve të tjerë të shquar amerikanë, pas vrasjes nga Uashingtoni të komandantit ushtarak iranian Qassem Soleimani në vitin 2020.
Asif Merchant, 47 vjeç, u dënua për “vrasje me pagesë dhe përpjekje për të kryer një akt terrorizmi që tejkalon kufijtë kombëtarë” me urdhër të autoriteteve iraniane, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Ai u arrestua në vitin 2024, ndërsa po përgatitej të largohej nga SHBA-ja, pasi kishte takuar oficerë të fshehtë që pretendonin të ishin vrasës të mundshëm.
Bëhet e ditur se Teherani mohoi akuzat se kishte kërkuar të vriste Trumpin ose zyrtarë të tjerë amerikanë.
Merchant pranoi se u bashkua me komplotin me Korpusin e elitës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, por dëshmoi se e bëri këtë për të mbrojtur familjen e tij në Teheran.
Qershor 2016
Një burrë 20-vjeçar britanik u burgos pasi u përpoq t’i merrte armën një oficeri policie në një tubim në Las Vegas, duke thënë më vonë se kishte shkuar me veturë në këtë tubim për të provuar ta vriste kandidatin e atëhershëm të supozuar republikan.
Sipas autoriteteve, Michael Sandford, 20 vjeç, nga Dorking, Surrey, ishte i papunë dhe jetonte në veturën e ti.
Ai qëndronte ilegalisht në SHBA pasi kishte kaluar afatin e vizës së tij me 10 muaj.
Sandford u burgos më vonë dhe vuajti rreth gjysmën e dënimit të tij njëvjeçar, përpara se të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar./skynews.




