Më shumë se gjysma e qytetarëve, përkatësisht 52 për qind, nuk dakordohen se institucionet publike i trajtojnë njerëzit në mënyrë të barabartë. Besimi në partitë politike është vetëm 16 për qind, që është niveli më i ulët mes institucioneve të përfshira në hulumtim
Shkup, 19 nëntor – Pothuajse gjashtë nga dhjetë të rinj të moshës prej 18 deri 24 vjeç në Ballkanin Perëndimor mendojnë të largohen jashtë vendit për të jetuar apo punuar, përderisa 83 për qind e qytetarëve janë të shqetësuar për shpenzimet për jetë dhe inflacionin. Edhe krahas ndjenjës së përmirësuar të sigurisë personale në rajon, pasiguria ekonomike, shpërngulja, korrupsioni dhe kanosjet digjitale mbeten shkaqet kryesore për shqetësim, tregon hulumtimi SecuriMeter 2026 i Këshillit për bashkëpunim rajonal (RCC).
Sipas rezultateve të hulumtimit, 49 për qind e të anketuarve konsiderojnë se Ballkani Perëndimor është vend i sigurt për të jetuar, përkundër 38 për qind në vitin 2025. Nivel relativisht të lartë të sigurisë personale paraqitën 64 për qind e qytetarëve. Megjithatë, mes shkaqeve kryesore për shqetësim janë shpenzimet për jetë dhe inflacioni, të cilat i cekën 83 për qind e të anketuarve, shpopullimi dhe shpërngulja me 78 për qind, dezinformatatat dhe lajmet e rrejshme me 72 për qind, krimi kibernetik dhe mashtrimet onlajn me 70 për qind, si dhe krimi i organizuar me 68 për qind.
Hulumtimi tregon se edhe përkundër asaj që 65 për qind e qytetarëve nuk kanë ndër mend të shpërngulen jashtë vendit, tek të rinjtë mbisundon një qëndrim tjetër. Madje 58 për qind e të anketuarve të moshës prej 18 deri 24 vjeç mendojnë të largohen në një vend tjetër për të jetuar apo punuar. Pasiguria ekonomike plotësisht e përforcon shqetësimin, duke pasur parasysh se vetëm një nga tre të anketuar mund të mbulojë shpenzim të paparashikueshëm prej 1.000 eurove pa u detyruar apo pa kërkuar ndihmë nga persona të tjerë. Njëherësh, 55 për qind kanë besim të paktë apo fare në aftësinë e komunitetit të tyre të rikuperojë nga kriza serioze.
Nivel i lartë i shqetësimit është vërejtur edhe lidhur me korrupsionin. Sipas hulumtimit, 77 për qind e të anketuarve konsiderojnë se korrupsioni është përhapur gjerësisht në ekonominë e tyre, edhe pse kjo është ulje në krahasim me 86 për qind në vitin 2023. Më shumë se gjysma e qytetarëve, përkatësisht 52 për qind, nuk dakordohen se institucionet publike i trajtojnë njerëzit në mënyrë të barabartë. Besimi në partitë politike është vetëm 16 për qind, që është niveli më i ulët mes institucioneve të përfshira në hulumtim. I rëndësishëm është edhe shqetësimi për sigurinë digjitale. Vjedhja e të dhënave personale i shqetëson 74 për qind të të anketuarve, përderisa 72 për qind janë të shqetësuar për keqpërdorimin e tyre nga kompanitë private apo platformat e internetit.
Lidhur me sigurinë në ambientin e drejtpërdrejtë, 53 për qind e qytetarëve ndjehen të shqetësuar nga posedimi ilegal dhe keqpërdorimi i armëve të zjarrit në fqinjësinë e tyre. Megjithatë, 84 për qind thonë se nuk do të mendonin të posedojnë armë zjarri.
Qëndrimet ndaj emigracionit janë të ndara. Pothuajse gjysma e të anketuarve, përkatësisht 48 për qind besojnë se emigracioni e rritë krimin, përderisa 21 për qind e njohin kontributin e emigrantëve në plotësimin e vendeve të rëndësishme të punës. Gjetjet nga SecuriMeter 2026 u prezantuan në Beograd, në kuadër të Konferencës së sigurisë në Beograd. Hulumtimi SecuriMeter 2026 u krye nga 1 deri më 17 shtator të këtij viti, me anketimin e 6.003 personave të moshës madhore në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Intervistat u kryen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me intervistim të ndihmuar kompjuterik personal.








