Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për problemin me ujin e pijshëm, duke akuzuar BDI-në se po e shfrytëzon këtë çështje për propagandë politike, ndërsa përgjegjësinë për problemin e cilëson shumëvjeçare.
Në një reagim publik, Qyra thotë se problemi me ujin është i pranishëm prej vitesh, duke përmendur raportimet dhe ndërprerjet e furnizimit me ujë në vitet 2017, 2019 dhe 2023, si dhe protestat e qytetarëve.
Sa i përket situatës aktuale, ai thotë se pas paraqitjes së problemit në vitin 2026, si pasojë e aktiviteteve të gërmimit dhe thyerjes së gurëve pranë burimit Shum, Komuna ka ndërmarrë masa. Sipas tij, është shfuqizuar leja për gërmime, e dhënë në vitin 2025, janë angazhuar ekspertë për të shqyrtuar problemin dhe është kërkuar ndërhyrja e Qeverisë.
Qyra thekson se po kryhen rregullisht analiza të ujit, rezultatet e të cilave publikohen, ndërsa po shqyrtohen edhe zgjidhjet afatgjata për furnizimin e sigurt me ujë të pijshëm.
Kreu i Strugës ka ngritur edhe çështjen e gjendjes financiare të Ndërmarrjes Publike „Ujësjellësi dhe Kanalizime“, duke deklaruar se ndërmarrja është gjetur me rreth pesë milionë euro borxhe, inkasim prej vetëm 34 për qind të ujit të shpërndarë, infrastrukturë të amortizuar dhe mungesë të pajisjeve të nevojshme.
Ai gjithashtu pretendon se gjatë periudhës 2020–2024 ndërmarrja ka regjistruar humbje prej mbi 154 milionë denarësh, apo rreth 2.5 milionë euro.
Në fund, Qyra thotë se opozita ka të drejtë të kërkojë llogari, por duhet të japë përgjigje edhe për periudhën kur ka pasur përgjegjësi institucionale. Ai thekson se çështja e ujit të pijshëm duhet të trajtohet mbi interesat partiake, pasi bëhet fjalë për një të drejtë themelore të qytetarëve.








