Ndryshimet në Ligjin për shtyllën e dytë pensionale u vunë para deputetëve për shqyrtim me amendamente. Nga shtatë amendamentet e paraqitura nga deputeti Sali Murati nga Fronti Evropian, u pranua vetëm një, i cili ishte i natyrës teknike, përkatësisht kishte të bënte me një dispozitë të gabuar në ligj. Murati vlerësoi se me ndryshimet ligjore kompensimi ndaj Fondit ulet nga 2 në 1,5 për qind dhe kjo ishte e pranueshme për të. Por ajo me të cilën nuk u pajtua dhe për të cilën kishte të bënte edhe njëri prej amendamenteve, ishte fakti se ky ndryshim do të zbatohet pas dy vitesh.
“Neni 51 e shtyn zbatimin e këtij ndryshimi dhe plotësimi, si dhe të ndryshimeve dhe plotësimeve të tjera, për dy vjet nga hyrja në fuqi e ligjit, së bashku me dispozitat për futjen e tri portofolave. Cila është arsyeja? Nëse ligjvënësi ka konstatuar se kompensimet prej 2 për qind nuk janë reale dhe duhet të ulen në 1,5 për qind, pse pritet që kjo të zbatohet pas dy vitesh? Ja, ministri mund të më përgjigjet pse pritet që ky nen të hyjë në fuqi pas dy vitesh dhe jo menjëherë, pas tetë ditësh”, tha Sali Murati.
Ndërkaq, ministri i Politikës Sociale, Gjoko Velkovski, theksoi se arsyet ishin teknike dhe se për të gjithë sistemin nevojitet një periudhë e përshtatjes teknike, ndërsa edhe qytetarët duhet të mësohen me parimin e ri.
“Amendamenti nuk pranohet. Arsyeja pse i gjithë procesi shtyhet është se, kur bëhen ndryshime të tilla strukturore në ligje dhe mundësohet një shërbim shtesë për qytetarët tanë, nevojitet një periudhë kohore. Për arsye teknike, për harmonizimin e softuerit, por edhe qytetarët duhet të mësojnë se cili është parimi i ri i zbatimit të ligjit. Prandaj, për këto arsye dhe bazuar në të gjithë analizën e bërë, si dhe në bisedimet me të gjithë faktorët e përfshirë, është konstatuar se nevojitet një periudhë e caktuar, përkatësisht dyvjeçare, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë i kompletuar para se të fillojë funksionimi”, tha Gjoko Velkovski
Ndërkohë, edhe sot reaguan nga opozitarja LSDM lidhur me mungesën e mjeteve në shtyllën e dytë pensionale. Nga atje thonë se borxhi, i cili është paraqitur vazhdimisht gjatë dy muajve të fundit, ka arritur në mbi 50 milionë euro dhe për këtë arsye kërkojnë përgjegjësi penale.
“51 milionë euro, para të qytetarëve, nuk janë transferuar në shtyllën e dytë pensionale deri më 31 tetor. Pushteti kriminal i Mickoskit dhe VMRO-së së tij, OPG, i ka vënë në rrezik kursimet pensionale të më shumë se 650.000 qytetarëve. Ekziston një afat ligjor prej pesë ditësh brenda të cilit paratë duhet të transferohen në shtyllën e dytë pensionale. Prandaj, kërkojmë reagim nga Prokuroria Publike dhe përgjegjësi penale”, tha Jovana Trençevska
Temën e shtyllës së dytë pensionale, dje në seancën parlamentare për pyetje të opozitës, e ngritën edhe nga grupi parlamentar i LSDM-së. Ata kërkuan gjithashtu shkarkimin e drejtorit të Fondit për Sigurim Pensional, si dhe të MАPАS-it. Ndërkaq, ministri Velkovski tha se ai nuk ka kompetenca për këtë, pasi, siç theksoi, drejtorët emërohen nga Qeveria dhe ajo është kompetente edhe për shkarkimin e tyre.








