Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, reagon ashpër
ndaj kryetarit të qytetit të Tetovës dhe kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami,
i cili, siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kabiteni i Xhaferit,
keqpërdori Kuvendin me atë që i shkeli procedurat e vendosura parlamentare për mbajtjen e
konferencave për shtyp në ndërtesën e dhomës ligjvënëse, për promovim personal politik.
“Gjegjësisht, në Kuvend është parashikuar procedurë e veçantë për mënyrën e mbajtjes së
konferencave për shtyp për atë se ku dhe kush mund të shfrytëzojë këtë të drejtë. Në përputhje
me këtë, Pres-qendra në dhomën ligjvënëse është e dedikuar vetëm dhe vetëm për deputetët e
mandatit aktual, kështu që, është e paqartë se sot Kasami në çfarë cilësie ishte i pranishëm dhe u
drejtua në konferencën e paparalajmëruar për shtyp në Kuvend. Si ish deputet, Kasami duhet të
jetë i informuar për procedurat e dhomës ligjvënëse dhe të dijë se Kuvendi nuk është vendi ku ai
mund të drejtohet qoftë si kryetar komune ose si kryetar partie.
Përveç kësaj, në shkeljen e rregullave dhe normave parlamentare, Kasamit ju
bashkëngjitën dhe e mbështetën edhe disa deputetë tjerë të cilët në kundërshtim me rregullat e
vendosura, i mundësuan të drejtohet nga pres-qendra e Kuvendit, nga vendi i paraparë vetëm për
deklarata të të zgjedhurve të popullit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kabiteni i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.