Sot (12.11.2025), në hapësirat e Komunës së Tetovës u mbajt një takim pune ndërinstitucional i kushtuar parandalimit dhe ballafaqimit me delikuencën e miturve, i nxitur nga ngjarjet dhe incidentet e fundit në të cilat ishin përfshirë tifozë të mitur të dy klubeve të futbollit nga Tetova.
Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me përfaqësues të komunës, udhëheqësia dhe përfaqësues nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, përfaqësues nga Këshilli për Parandalimin e Delikuencës së Miturve, Qendra për Punë Sociale Tetovë, si dhe drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në territorin e komunës.
Në kuadër të takimit të punës, fjalime mbajtën kryetari Kasami dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve kompetente, ku u prezantuan rezultatet e deritanishme, masat e ndërmarra dhe aktivitetet aktuale parandaluese në terren.
Të pranishmit sollën njëzëri konkluzionin se gjendja e sigurisë në Tetovë është stabile dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë tensionesh ndëretnike, por për konflikte të izoluara mes tifozëve – dukuri me të cilën ballafaqohen edhe qytete të tjera anembanë vendit dhe rajonit, por që në Tetovë reflektohet më shumë për shkak të mjedisit multietnik. Në këtë drejtim, institucionet dërguan një apel të përbashkët drejtuar opinionit, mediave dhe faktorëve politikë që të përmbahen nga përhapja e dezinformatave, keqpërdorimi politik i ngjarjeve të tilla dhe nxitja artificiale e tensioneve që realisht nuk ekzistojnë në këtë rajon.
Në takim u dakorduan edhe hapat konkretë në vijim për periudhën e ardhshme, si:
Shkëmbimi i vazhdueshëm i informacioneve mes SPB Tetovë, Qendrës për Punë Sociale dhe institucioneve arsimore për zbulimin e hershëm të sjelljeve të rrezikshme te të rinjtë.
Organizimi i ligjëratave dhe fushatave të përbashkëta në shkollat fillore dhe të mesme me temë tifozerinë fair-play, tolerancën dhe pasojat ligjore nga prishja e rendit dhe qetësisë publike.
Mbajtja e takimeve me këshillat e prindërve dhe udhëheqësitë e klubeve lokale të sportit me qëllim ngritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë së përbashkët për sigurinë e të rinjve.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe SPB Tetovë mbeten plotësisht të përkushtuara në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe paralajmërojnë se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë me masa të shtuara parandaluese, por edhe me masa adekuate ligjore kundër të gjithë shkelësve të ligjit, pavarësisht përkatësisë së tyre.








