SHMSHM konteston zgjedhjen e drejtuesve në Odën e Mjekëve

Advertisement

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni (SHMSHM) ka reaguar ashpër ndaj procesit të zgjedhjes së organeve të reja drejtuese të Odës së Mjekëve të Maqedonisë së Veriut, duke akuzuar për shkelje të dispozitave statutare dhe mosrespektim të përfaqësimit të mjekëve shqiptarë, shkruan gazeta KOHA. Shoqata paralajmëron se do të ndërmarrë hapa ligjorë, përfshirë inicimin e procedurave pranë Gjykatës Administrative.

Reagimi vjen pas mbledhjes së sotme të Kuvendit të Odës së Mjekëve, ku prof. dr. Nikola Jankullovski u zgjodh kryetar i ri.

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë ka bërë të qartë se zëvendëskryetari i sapozgjedhur, si dhe anëtari i zgjedhur i Këshillit Drejtues, nuk e përfaqësojnë SHMSHM-në dhe nuk kanë mandat për të përfaqësuar qëndrimet apo vullnetin e mjekëve shqiptarë.

“Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni shpreh shqetësimin dhe pakënaqësinë e saj lidhur me procesin e formimit të organeve të Odës së Mjekëve të Maqedonisë, veçanërisht me zhvillimet në mbledhjen konstituive, ku nuk u respektua vullneti dhe përfaqësimi i mjekëve shqiptarë, të cilët përfaqësohen nga Shoqata jonë”, thuhet në reagim.

Një nga kundërshtimet kryesore të SHMSHM-së lidhet me mënyrën e zgjedhjes së delegatëve dhe përbërjen e organeve drejtuese të Odës. Sipas Shoqatës, gjatë përzgjedhjes së delegatëve përmes listave nuk janë respektuar dispozitat statutare dhe parimi i përfaqësimit prej 20 për qind.

SHMSHM pretendon se ky parim është anashkaluar edhe gjatë zgjedhjes së organeve drejtuese, duke bërë që mjekëve shqiptarë të mos u sigurohet përfaqësimi i duhur në strukturat vendimmarrëse të Odës.

“Konsiderojmë se respektimi i Statutit, përfaqësimi i drejtë dhe barazia në vendimmarrje janë parime themelore për funksionimin demokratik dhe institucional të Odës së Mjekëve”, thekson Shoqata.

Përballë këtyre zhvillimeve, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë paralajmëron se nuk do të mjaftohet vetëm me reagime publike, por do të shfrytëzojë mekanizmat ligjorë për të kontestuar procesin zgjedhor.

“Në këtë drejtim, bëjmë të ditur se Shoqata do të ndërmarrë të gjithë hapat dhe mekanizmat ligjorë në dispozicion, përfshirë inicimin e procedurave përkatëse pranë Gjykatës Administrative, me qëllim që të evidentohen dhe konstatohen shkeljet e bëra gjatë këtij procesi dhe të kërkohet mbrojtja e të drejtave të përfaqësimit të mjekëve shqiptarë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, në seancën e djeshme të Kuvendit të Odës së Mjekëve, prof.dr.Nikola Jankullovski u zgjodh kryetar i ri, ndërsa dr.Idriz Orana u zgjodh zëvendëskryetar i kësaj organizate profesionale që përfaqëson të gjithë mjekët në vend.
Në këtë seancë u zgjodhën edhe tre nënkryetarë: dr.Biljana Petkovska Ognjanova – nënkryetare për kujdesin shëndetësor parësor, dr.Lençe Neloska – nënkryetare për kujdesin shëndetësor dytësor dhe dr.Risto Todorov – nënkryetar për kujdesin shëndetësor tretësor.

“Është nder i madh dhe përgjegjësi edhe më e madhe të jesh në krye të Odës së Mjekëve. Fokusi im do të jetë i përqendruar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe statusit të të gjithë mjekëve në vendin tonë, rritjen e transparencës në punën e Odës dhe digjitalizimin e proceseve, si dhe përfshirjen aktive të Odës në miratimin e ndryshimeve ligjore në fushën e shëndetësisë. Përmes zgjidhjeve të reja funksionale, synojmë të kontribuojmë në krijimin e kushteve më të mira të punës për mjekët dhe të trajtimit për pacientët”, tha dr.Jankullovski. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit