Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot vizitoi Njësinë e Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup, e vendosur në Qendrën Policore në Gjorçe Petrov, ku u lëshua në përdorim një objekt i rikonstruktuar, i cili për një periudhë të gjatë kishte qenë jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri.
Për rikonstruktimin e objektit, me sipërfaqe të përgjithshme prej 488 metrash katrorë, janë investuar rreth 8 milionë denarë. Me punimet ndërtimore janë rinovuar pjesët e dëmtuara, kulmi, fasada, instalimet dhe hapësirat e brendshme, duke siguruar kështu kushte dukshëm më të mira hapësinore dhe pune për pjesëtarët e njësisë.
Në kuadër të vizitës, ministri vizitoi edhe pjesëtarët e policisë së uniformuar, të cilët po ndjekin trajnim të specializuar me temë „Taktikat dhe teknikat e përballimit me prishjen e rendit dhe qetësisë publike në përmasa të mëdha“, ndërkaq ishte i pranishëm në prezantimin e pajisjeve për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dedikuar njësive speciale policore, prokurimi i të cilave është në zhvillim e sipër.
Toshkovski theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht investon në përmirësimin e kushteve të punës, modernizimin e pajisjeve dhe avancimin profesional të nëpunësve policorë, pasi pikërisht këto investime kontribuojnë në rritjen e gatishmërisë operacionale, veprimin më efikas policor dhe nivel më të lartë të sigurisë për qytetarët.
Në këtë drejtim, ministri përmendi edhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit, duke theksuar se Maqedonia shënon shkallën më të ulët të kriminalitetit në 20 vitet e fundit, ndërsa efikasiteti i përgjithshëm në zbulimin e veprave penale dhe kryerësve të tyre arrin në 70,3 për qind.
Ministria e Punëve të Brendshme edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me investimet në infrastrukturën policore, pajisjet moderne dhe trajnimin e personelit, me qëllim krijimin e një policie profesionale, moderne dhe efikase, e cila do të garantojë më shumë siguri dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët.








