Gazetari Bekim Laçi ka reaguar lidhur me zgjerimin e sistemit “Safe city”, duke rikujtuar debatet dhe kritikat që e shoqëruan zbatimin e tij në fillim. Ai thotë se e ka mbështetur sistemin që nga dita e parë, duke e konsideruar atë një mekanizëm të rëndësishëm për rritjen e sigurisë në trafik.
Laçi rikujton se kundërshtarët e sistemit pretendonin se kamerat do të ndëshkonin vetëm qytetarët në vendbanimet shqiptare. Sipas tij, zgjerimi i “Safe city” edhe në rajonin e Pellagonisë dhe planifikimi për shtrirjen në të gjithë vendin dëshmojnë se siguria në trafik nuk duhet parë përmes ndarjeve etnike, por si interes i përbashkët i të gjithë qytetarëve.
Duke iu referuar të dhënave që ia atribuon Ministrisë së Punëve të Brendshme, Laçi thekson se gjatë periudhës janar-tetor 2025 në aksidente trafiku kanë humbur jetën 117 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 ky numër ka rënë në 85. Kjo paraqet 32 viktima më pak.
“Këto nuk janë thjesht statistika, janë 32 njerëz që nuk janë bërë pjesë e bilancit tragjik të aksidenteve rrugore”, thekson Laçi.
Ai kërkon gjithashtu që sa më shpejt të vihen në funksion veturat mobile të policisë, të pajisura me kamera, të cilat do të mundësonin identifikimin dhe ndëshkimin e automjeteve të parkuara në mënyrë të paligjshme në rrugët kryesore të Çairit.
Sipas tij, parkimi i parregullt pengon lëvizjen e çiklistëve dhe personave me karroca, duke krijuar rrezik për sigurinë e tyre.
Në fund, Laçi nënvizon se respektimi i rregullave të trafikut nuk është kufizim i lirisë, por garanci për mbrojtjen e jetës.
“Më mirë një gjobë sot, se sa një jetë e humbur nesër!”, përfundon reagimin gazetari Bekim Laçi.








