Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka folur për çështjen e regjistrimit të nxënësve në shkollën “Petar Zdravkovski-Penko” në Çair, duke thënë se nxënësit që i përkasin kësaj komune duhet të ndjekin mësimin në shkollat e Çairit.
Në emisionin “Impakt” në TV Shenja, Sulejmani tha se në rast nevoje mund të hapen paralele të reja në shkollat e komunës, ndërsa aty ku ka hapësirë mund të shqyrtohet edhe ndërtimi i një objekti të ri shkollor.
“Ne mendojmë se nxënësit që i takojnë Komunës së Çairit duhet të shkojnë nëpër shkollat e Komunës së Çairit”, deklaroi Sulejmani.
Ai theksoi se regjistrimi i nxënësve në një komunë tjetër mund të ndikojë edhe në financimin që marrin komunat, duke shtuar se synimi është që asnjë komunë të mos dëmtohet financiarisht për shkak të regjistrimeve.
Sulejmani sqaroi se ligji lejon formimin e paraleleve edhe në raste të caktuara kur ka nevojë, por sipas tij, kur shkollat janë pranë njëra-tjetrës, nxënësit duhet të regjistrohen në komunën ku u takon të ndjekin mësimin.






