Sulejmani hedh poshtë pretendimet: Nuk është mbyllur asnjë paralele në gjuhën shqipe në shkollën “Petar Zdravkovski Penko”

Advertisement

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka përgënjeshtruar pretendimet për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Komunën e Butelit.

Gjatë një konference për media, Sulejmani sqaroi se, mbështetur në dokumentacionin zyrtar, numri i paraleleve të klasës së parë mbetet i paprekur. Njëlloj si vitin e kaluar, edhe këtë vit arsimor janë formuar katër paralele mësimore në gjuhën shqipe.

“Pretendimi se këtë vit është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe nuk përputhet me dokumentacionin zyrtar. Vitin e kaluar kanë funksionuar katër paralele dhe po aq funksionojnë edhe këtë vit”, deklaroi ai.

Përveç kësaj, zëvendësministri njoftoi se pas koordinimit me Komunën e Butelit është zgjidhur edhe çështja e regjistrimit të më shumë se 30 fëmijëve nga Komuna e Çairit, të cilët banojnë afër shkollës dhe kanë familjarë që tashmë ndjekin mësimin në këtë institucion.

Me përfundimin e këtij procesi, katër paralelet do të kenë mesatarisht nga 25 nxënës, çka sipas tij garanton një organizim në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e cilësisë në arsim.

Sulejmani konfirmoi se procesi mësimor po zhvillohet normalisht dhe u bëri thirrje palëve që për paqartësi të ngjashme t’u drejtohen rrugëve institucionale, me qëllim që të shmangen shqetësimet e panevojshme për nxënësit dhe prindërit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit