„Tikvesh“ vazhdon ta shkruajë historinë maqedonase të verës në skenën botërore. Kompania fitoi medalje të artë për verën e saj premium „Babuna Red 2023“, si dhe një sërë vlerësimesh të tjera të larta, në edicionin e sivjetshëm të International Wine Challenge (IWC) 2026 në Londër, një nga garat më me ndikim dhe më të vlerësuara të verës në botë.
Me 95 pikë mbresëlënëse nga IWC, „Babuna Red 2023“ u dallua ndër verërat më të vlerësuara në kategorinë e saj, duke konfirmuar cilësinë e jashtëzakonshme, karakterin e veçantë dhe shprehjen moderne të verës. Për këtë verë, vlerësimi ishte se përfaqëson një kombinim të shkëlqyer të fuqisë dhe elegancës, si dhe se bëhet fjalë për një verë të pasur, por të balancuar, me aroma intensive të frutave pyjore, të plotësuara me nota komplekse erëzash dhe nuanca të buta të pjekura.
Përveç këtij vlerësimi më të lartë, „Tikvesh“ arriti edhe një seri rezultatesh të rëndësishme që konfirmojnë vazhdimësinë e cilësisë së portofolit të kantinës së verës. Medalje të argjendta fituan vera e bardhë „Bela Voda“ nga vjeljet 2023 dhe 2024, vera e bardhë „Barovo 2024“ dhe vera e kuqe „Bela Voda 2021“. Medalje bronzi iu ndanë „Domaine Lepovo Grand Cuvée 2023“, „Domaine Lepovo Chardonnay 2024“, „Bela Voda Red 2022“, „Barovo Sauvignon Blanc 2025“, „Barovo White 2025“, „Barovo Red 2021“, „Luda Mara White Cuvée 2025“, „Alexandria Premium Cuvée White 2025“, „Marks & Spencer Found Kratosija 2024“ dhe „Smederevka 2025“, ndërsa „Domaine Lepovo Chardonnay 2023“, „Luda Mara Red Cuvée 2024“ dhe „Babuna White 2025“ u veçuan si vera që meritojnë vëmendje të posaçme.
International Wine Challenge është një nga garat më me ndikim dhe më prestigjioze të verës në botë, e themeluar në vitin 1984. Çdo vit, verëra nga mbi 50 vende vlerësohen nga më shumë se 500 ekspertë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë, mes të cilëve masterë të verës, somelierë të njohur, prodhues vere, blerës, kritikë dhe edukatorë. Vlerësimi realizohet përmes degustimit “të verbër” dhe analizës së detajuar shumëfazore, ku çdo verë provohet të paktën dy herë në ditë të ndryshme. Vendimet përfundimtare kontrollohen shtesë nga gjyqtarët kryesorë të garës, të cilët rishikojnë të gjitha verërat e aprovuara, me qëllim sigurimin e objektivitetit dhe konsistencës maksimale të rezultateve.
Ky model rigoroz dhe transparent siguron besueshmëri të jashtëzakonshme, prandaj medaljet e IWC konsiderohen ndër më relevantet në industrinë globale të verës. Për këtë arsye, medalja nga ky konkurs është një sinjal i fortë ndërkombëtar se një verë është dalluar në kushte jashtëzakonisht konkurruese dhe ka përmbushur standardet më të larta botërore.
Vlerësimet e reja nga International Wine Challenge edhe një herë konfirmojnë përkushtimin e „Tikvesh“ për krijimin e verërave me cilësi të lartë dhe identitet të veçantë, që përfaqësojnë denjësisht traditën maqedonase të verës në skenën botërore. Me çdo çmim të ri, verërat e „Tikvesh“ vazhdojnë ta forcojnë pozitën e tyre ndër verërat më të vlerësuara në tregun ndërkombëtar.





