Shkup, 28 tetor 2026 – Kujdesi për shëndetin mendor, parandalimi i rreziqeve psikosociale dhe krijimi i vendeve të sigurta të punës ishin në fokus të shënimit të Javës Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ku u ndanë edhe çmimet kombëtare për praktika të mira për vitin 2026.
Ngjarja u organizua nga Këshilli për Siguri dhe Shëndet në Punë, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), në kuadër të projektit „Drejt një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm të punës në Maqedoninë e Veriut“, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se siguria dhe shëndeti në punë janë të drejta themelore të çdo punëtori, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta dhe të shëndetshme, si dhe respektimin e dinjitetit të punonjësve.
Ai tha se teknologjitë moderne dhe digjitalizimi sjellin mundësi të reja, por edhe rreziqe të cilat kërkojnë përmirësimin e legjislacionit, forcimin e parandalimit dhe ngritjen e standardeve të sigurisë në punë.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, Mauro Mashioli, deklaroi se Bashkimi Evropian mbështet forcimin e institucioneve dhe përafrimin e vendit me standardet evropiane, me qëllim të përmirësimit të mbrojtjes së punëtorëve dhe kujdesit për shëndetin e tyre fizik dhe mendor.
Drejtoresha e Zyrës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Evropën Qendrore dhe Lindore, Claire Harasty, theksoi se rreziqet psikosociale duhet të identifikohen dhe vlerësohen me të njëjtën seriozitet si rreziqet fizike, kimike dhe biologjike.
Sipas saj, parandalimi kërkon angazhim të punëdhënësve, përfshirje të punëtorëve, institucione efektive dhe dialog social.
45% e punëtorëve në BE raportojnë rreziqe për shëndetin mendor
Fushata e këtij viti zhvillohet nën moton „Së bashku për shëndetin mendor në punë“ dhe fokusohet në ndikimin që organizimi i punës ka në mirëqenien mendore të punonjësve.
Rreziqet përfshijnë ngarkesën e tepërt në punë, mungesën e kontrollit mbi detyrat, komunikimin e dobët, pasigurinë në vendin e punës, përfshirjen e pamjaftueshme në vendimmarrje dhe ngacmimin.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, 45% e punëtorëve në Bashkimin Evropian raportojnë ekspozim ndaj rreziqeve për mirëqenien e tyre mendore në punë, ndërsa 29% raportojnë stres, ankth ose depresion të shkaktuar apo përkeqësuar nga puna.
Këto të dhëna nuk i referohen drejtpërdrejt Maqedonisë së Veriut, por, sipas ekspertëve, tregojnë një prirje më të gjerë dhe nevojën që shëndeti mendor të përfshihet në politikat e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Dy kompani u shpërblyen për praktika të mira
Në kuadër të ngjarjes u ndanë çmimet kombëtare për praktika të mira në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë për vitin 2026.
Çmimet iu ndanë kompanisë „ARC Automotive“ dhe shoqërisë për prodhim, tregti dhe shërbime „Lutthman Backlund Foods Production DOO Manastir“.
Përfaqësuesit e kompanive prezantuan përvojat e tyre dhe rezultatet e arritura përmes zbatimit të aktiviteteve për përmirësimin e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve.
Projekti „Drejt një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm të punës në Maqedoninë e Veriut“ zbatohet gjatë periudhës 2025–2028 dhe synon përmirësimin e kornizës ligjore dhe strategjike, modernizimin e inspektimit të punës dhe forcimin e kulturës së parandalimit, me qëllim të uljes së lëndimeve në vendin e punës dhe sëmundjeve profesionale..https://bzr.mk/










