Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orçe Gjorgjievski, ka njoftuar se sot është mbajtur një takim koordinues me kryetarët e komunave të Shkupit dhe Shtabin e Krizave, ku janë shqyrtuar dëmet e shkaktuara nga stuhia e fuqishme që goditi kryeqytetin.
Sipas Gjorgjievskit, era e fuqishme me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë ka shkaktuar dëme të shumta, përfshirë rrëzimin e pemëve dhe degëve, dëmtimin e automjeteve, çative, fasadave, linjave elektrike, pajisjeve urbane dhe pronave private.
Komunat e Shkupit do të formojnë komisione përmes të cilave qytetarët do të mund të raportojnë dëmet e shkaktuara nga stuhia. Më pas, në koordinim me Qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, do të bëhet vlerësimi profesional i dëmeve të raportuara dhe do të nisë procedura për mbështetjen e qytetarëve në sanimin e dëmeve.
Gjorgjievski ka bërë të ditur gjithashtu se do të zhvillohen kontrolle të përforcuara nga inspektorët komunalë të ndërtimit dhe shërbimet e tjera kompetente, veçanërisht në objektet ku janë dëmtuar çatitë, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të dëmtimeve.
Ai ka falënderuar ekipet e ndërmarrjeve publike dhe Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit për reagimin e shpejtë dhe punën e tyre gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe largimin e pemëve e degëve të rrëzuara.
“Të gjitha kapacitetet në dispozicion janë vënë në funksion dhe së bashku do të përballemi me pasojat e kësaj fatkeqësie të rëndë natyrore. Puna vazhdon derisa të sanohen pasojat dhe të sigurohet siguri e plotë për qytetarët”, ka deklaruar Gjorgjievski.







