Besar Sejdiu nga Lëvizja Studentore Shqiptare ka reaguar lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë për mundësimin e dhënies së provimeve profesionale në gjuhën shqipe, duke shprehur pakënaqësi ndaj Ministrisë së Drejtësisë për atë që e cilëson si mungesë të veprimit institucional.
Sejdiu thotë se studentët shqiptarë prej më shumë se dy vjet e gjysmë kërkojnë mundësinë që provimet profesionale t’i zhvillojnë në gjuhën shqipe. Sipas tij, kërkesa është e qartë dhe institucionet janë të informuara për të.
“Për më shumë se dy vite e gjysmë, studentët shqiptarë kërkojnë të njëjtën gjë: të drejtën për t’i dhënë provimet profesionale në gjuhën shqipe”, shkruan Sejdiu.
Ai vlerëson se problemi nuk lidhet me paqartësinë e kërkesës, por me mungesën e hapave konkretë nga institucionet.
Sejdiu shprehet veçanërisht kritik ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se studentët kanë pritur që pas emërimit të ministrit të ri të zhvillohet një takim dhe të hapet dialog për kërkesat e tyre.
“Që nga ardhja e ministrit të ri, përkundër pritshmërisë sonë për një takim dhe dialog të drejtpërdrejtë me studentët, Ministria e Drejtësisë ka zgjedhur heshtjen në vend të veprimit konkret”, deklaron ai.
Sipas Sejdiut, pas më shumë se dy vjet e gjysmë, çështja nuk mund të arsyetohet më me mungesë kohe apo me mungesë informacioni për kërkesën e studentëve.
“Publikojmë kërkesën e plotë që të jetë e qartë çfarë kemi kërkuar dhe çfarë presim nga institucionet”, shkruan ai, duke paralajmëruar publikimin e dokumentit të plotë me kërkesat e studentëve.
Në fund, Sejdiu thekson se studentët presin hapa konkretë për realizimin e kërkesës së tyre.
“Tani nuk kërkojmë më premtime. Kërkojmë veprim”, përfundon ai.






