Maqedonia e Veriut po e zgjidh në mënyrë të pavarur problemin me të cilin përballen transportuesit përmes marrëveshjeve bilaterale me vendet e zonës Shengen, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, në një intervistë për televizionin Telma.
Nikoloski tha se tashmë janë lidhur marrëveshje me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa negociatat janë duke vazhduar me Austrinë, Gjermaninë dhe Hungarinë. Sipas tij, këto janë ndër vendet ku transportuesit maqedonas më së shumti eksportojnë ose kalojnë tranzit.
Ai shpjegoi se një nga mënyrat për të ndihmuar transportuesit është lidhja e marrëveshjeve bilaterale me vendet anëtare të zonës Shengen, përmes të cilave do të mundësohej pajisja me viza pune afatgjata.
“Ne tashmë kemi marrëveshje të tilla me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë. Aktualisht jemi duke punuar me Austrinë, Gjermaninë dhe Hungarinë”, tha Nikoloski.
Sipas tij, me Komisionin Evropian është arritur edhe një marrëveshje që shoferët të njihen si profesionistë, gjë që, sipas tij, paraqet një hap të rëndësishëm në zgjidhjen e problemit.
Nikoloski përsëriti qëndrimin e Qeverisë se secili shtet i Ballkanit Perëndimor duhet ta trajtojë veçmas këtë çështje, duke theksuar se situata dhe nevojat e secilit shtet janë të ndryshme.
“Çdo shtet duhet ta zgjidhë problemin në mënyrë të pavarur. Ne po e zgjidhim individualisht dhe kemi një zgjidhje”, tha ai.
Ministri i Transportit theksoi gjithashtu se zgjidhja përfundimtare duhet të vijë nga Komisioni Evropian. Sipas tij, tashmë janë zhvilluar disa takime dhe pritet që së shpejti të gjendet një zgjidhje e përshtatshme.
Në fund, Nikoloski u bëri thirrje transportuesve që të mos ndikohen nga, siç tha ai, “propaganda e huaj”, duke theksuar se Qeveria po punon për marrëveshje bilaterale me vendet ku transportuesit maqedonas kanë më shumë aktivitet.






