Komuna e Strugës ka ndryshuar planin fillestar për rrjetin shkollor, duke hequr dorë nga mbyllja e 8 shkollave periferike dhe 4 qendrore. Sipas autoriteteve lokale, aktualisht nuk ka kushte për një ndryshim kaq të madh.
Nga shtatori do të ndërpresin punën vetëm katër shkolla periferike, në fshatrat Poum, Xhepin, Bogoicë dhe Nerez. Për këtë vendim është marrë mendim pozitiv nga Ministria e Arsimit, ndërsa pritet edhe miratimi nga Këshilli i Komunës së Strugës në seancën e së hënës.
Megjithatë, nga shtatori në shkollat fillore të komunës do të ketë 30 paralele më pak. Sipas Sektorit për Arsim të Komunës së Strugës, reduktimi do të bëhet në gjithsej 11 shkolla, me nga 2 deri në 5 paralele më pak, ndërsa mësimdhënësit me vendime të rregullta pune nuk do të mbeten pa punë.
Nga Komuna e Strugës thonë se riorganizimi i rrjetit shkollor është i nevojshëm për shkak të uljes së numrit të nxënësve dhe ndikimit të saj në procesin arsimor.
Rënia e numrit të nxënësve është e dukshme edhe në shkollat e zonave rurale. Shkolla në Koroshishtë, e cila dikur kishte 615 nxënës, sot ka rreth 100. Sipas mësuesit në pension, Zini Jusufi, numri i përgjithshëm i nxënësve në Strugë është ulur për rreth 60 për qind gjatë viteve të fundit.
“Shkollat tona janë boshatisur. Dikur kishim dy, tre apo edhe katër paralele në klasën e parë, ndërsa shkollat më të mëdha kishin deri në pesë paralele me nga 30 nxënës”, tha Jusufi.
Ai vlerëson se një nga faktorët kryesorë është shpërngulja e familjeve jashtë vendit dhe se ndalimi i këtij trendi do të ndikonte edhe në gjendjen e shkollave.
Në Strugë këtë vit janë regjistruar 470 nxënës në klasën e parë, 30 më pak se vitin e kaluar, kur ishin regjistruar 500 nxënës.






