A do të lirohet dizeli nën 100 denarë nga e hëna?

Advertisement

Pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të derivateve këtë javë, lëvizjet në bursat botërore po tregojnë një trend të kundërt. Nëse nuk ka zhvillime të reja gjeopolitike, të hënën Komisioni Rregullator për Energjetikë (RKE) mund të vendosë për ulje të çmimeve, me mundësi që ulja të jetë më e theksuar te dizeli.

Nafta Brent e mbyll javën rreth 89 dollarë për fuçi, rreth 5,3 për qind më lirë krahasuar me javën e kaluar. Ndërkohë, nafta amerikane WTI ka shënuar rënie prej rreth 4,3 për qind.

Rënie është regjistruar edhe te vajgazi, një nga treguesit kryesorë për çmimin e dizelit në Evropë. Kontratat e së ardhmes në Londër kanë zbritur nga rreth 1.125 dollarë në rreth 1.066 dollarë për ton, që paraqet rënie prej më shumë se pesë për qind.

Kjo vjen pas rritjes së çmimeve të vendosur nga RKE më 24 gusht. Dizeli u shtrenjtua me 3,50 denarë dhe aktualisht shitet me çmim maksimal prej 101,50 denarë për litër. Benzina BS-95 u rrit në 93 denarë, ndërsa BS-98 në 95 denarë për litër.

Në favor të një uljeje të mundshme është edhe dobësimi i dollarit. Kursi i tij këtë javë ka lëvizur kryesisht mes 52,6 dhe 52,8 denarë, krahasuar me kursin mesatar prej 52,9935 denarë që RKE përdori në llogaritjen e mëparshme.

Sipas lëvizjeve aktuale të tregut, dizeli mund të lirohet për rreth 1,5 deri në 2 denarë për litër, ndërsa te benzina mund të ketë një ulje më të moderuar. Megjithatë, këto janë vetëm vlerësime dhe jo llogaritje zyrtare të RKE-së.

Tregu mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, veçanërisht situatës rreth Iranit dhe Ngushticës së Hormuzit. Çdo zhvillim i ri mund të ndikojë në lëvizjen e çmimeve.

RKE pritet ta bëjë llogaritjen e rregullt të hënën, ndërsa çmimet e reja zakonisht hyjnë në fuqi nga e marta në orën 00:01.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit