Simbolet kombëtare duhet të mbeten të pastërta, ato janë krenaria kombëtare shqiptare

Advertisement

Në një lagje të Manhatanit, mbi një kuti postare të mbuluar me grafite, u shfaqen ngjitëse që përziejnë shqiponjën dykrenare me ngjyrat e ylberit, flamurit të komunitetit LGBT.

Njëra prej tyre shkruan me shkronja të kuqe: “PROTECT ALBANIAN WOMEN FROM PATRIARCHAL ALBANIAN MEN !!”,- “Mbrojini gratë shqiptare nga burrat shqiptarë patriarkalë” e shoqëruar nga e njëjta shqiponjë.

Ky imazh, i fotografuar në një zonë të njohur për komunitetin LGBT, ngre një çështje të thjeshtë por thelbësore: a duhet që simbolet e krenarisë sonë kombëtare të ngjyrosen me ngjyrat e çdo grupimi tjetër dhe të përdoren për mesazhe që nuk u përkasin?

Flamuri dhe shqiponja dykrenare nuk janë dekoracion i rastësishëm. Ngase ato përfaqësojnë historinë, gjuhën, sakrificat dhe identitetin e një populli. Ngjyrat e tyre e kuqja dhe e zeza janë të fiksuara në kujtesën kolektive.

Ndërsa t’i ndryshosh ato, qoftë me ylber, qoftë me çdo tjetër ngjyrim, do të thotë të dobësosh kuptimin e tyre. Simbolet kombëtare nuk janë platformë për mesazhe të grupeve të veçanta, ngaqë ato i përkasin të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike apo zgjedhjeve personale.

Ngjitësja që flet për “patriarkalizmin” shqiptar e përdor shqiponjën si sfond për një kauzë specifike.

Çdo shoqëri ka të drejtë të diskutojë barazinë gjinore, dhunën në familje apo role tradicionale. Këto janë tema të rëndësishme që meritojnë vëmendje dhe zgjidhje.

Por t’i lidhësh ato me simbolin kombëtar, duke e kthyer atë në mbështetëse të një mesazhi të veçantë, e largon shqiponjën nga kuptimi i saj origjinal.

Identiteti kombëtar nuk është armë në debatet e brendshme shoqërore.

Ka edhe një dimension praktik, që nuk duhet injoruar. Imazhe të tilla shqiponja e ylbertë dhe mesazhet kundër “patriarkalizmit” mund të shfrytëzohen nga disa individë që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet e fundit, meqenëse Shqipëria dhe Kosova janë demokraci perëndimore, anëtare të NATO-s dhe vende kandidatë për BE, arsyet tradicionale për azil (përndjekje politike apo etnike) janë bërë shumë të vështira për t’u pranuar.

Në këto kushte, orientimi seksual ose pretendimet për dhunë gjinore mbeten ndër të paktat baza që ende mund të ngrihen alibi në çështjet e tyre. Në disa raste të dokumentuara, fotografi dhe ngjitëse të ngjashme janë përdorur si “prova” vizuale për të ndërtuar një narrativë persekutimi, thotë një avokat shqiptar në Nju Jork , që nuk do të indetifikohet.

Kjo praktikë dëmton jo vetëm sistemin e azilit, por edhe imazhin e vërtetë të vendeve tona.

Kjo nuk do të thotë mohim i të drejtave të askujt. Pasi çdo njeri ka të drejtë të jetojë sipas bindjeve të veta, të zgjedhë orientimin seksual që dëshiron dhe të shprehë identitetin e tij.

Respekti për këto liri është themelor në një shoqëri demokratike. Por, respekti nuk kërkon që simbolet kombëtare të shndërrohen në mbështetëse vizuale të çdo kauzë.

Një flamur që bëhet “i gjithëpranueshëm” duke humbur ngjyrat e veta, humbet edhe forcën e tij simbolike.

Shembulli i Manhatanit tregon se sa lehtë mund të ndodhë kjo përzierje. Ngjitëset me shqiponjën e ylbertë dhe mesazhet që e shoqërojnë atë krijojnë një imazh të ndryshuar të identitetit shqiptar.

Për ata që jetojnë larg atdheut, simbolet janë shpesh ura e vetme me rrënjët. Kur ato ndryshohen, ura dobësohet.

Ruajtja e pastërtisë së simboveve nuk është refuzim i diversitetit. Ajo është mbrojtje e një gjuhe të përbashkët vizuale që na bashkon.

Le të mbeten ngjyrat e flamurit ato që janë të kuqe dhe të zeza. Çdo kauzë tjetër mund dhe duhet të shprehet me simbolet e veta. Kështu respektohen të gjithë pa e prekur atë që i përket të gjithëve, sidomos ngjyrave dhe simboleve tona kombëtare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit