Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, priti sot ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, i cili i dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për vitin 2026.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan se janë arritur rezultate konkrete, ndërsa përshëndetën edhe vlerësimin e vendit si një nga më të suksesshmit në përmbushjen e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori Rokas vuri në pah dobësitë e evidentuara në raport, duke theksuar nevojën për reforma të përforcuara në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.
Siljanovska-Davkova vlerësoi se përparimi në transformimin digjital, media, arsim, kulturë, shkencë dhe kërkim dëshmon kapacitetin institucional të vendit për përmbushjen e standardeve evropiane.
Ajo pret që përfundimi i udhërrëfyesve për sundimin e ligjit dhe reformën e administratës publike, si dhe i Planit të Veprimit për mbrojtjen e pakicave, të sjellë ndryshime konkrete dhe përparim në Klasterin e Parë – Themeloret.
Presidentja theksoi se raporti duhet të pasqyrojë në mënyrë objektive përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe jo kushtet politike dypalëshe, të cilat, sipas saj, janë në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane.
Ajo vlerësoi se përjashtimi i Maqedonisë së Veriut nga grupi i vendeve prijëse në procesin e zgjerimit nuk e pasqyron realitetin dhe dërgon sinjale negative te opinioni publik.
Në fund, Siljanovska-Davkova përsëriti thirrjen për trajtim të barabartë të të gjitha vendeve kandidate, duke theksuar se për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së nevojitet vullnet politik dhe angazhim më aktiv i institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare.








