Gostivar, 60-vjeçari detyronte nënën 80-vjeçare në karrocë invalidore të lypte, arrestohet për trafikim me njerëz

Advertisement

Një 60-vjeçar nga Gostivari është arrestuar nën dyshimin se për një periudhë të gjatë e ka detyruar nënën e tij 80-vjeçare, e cila lëviz me karrocë invalidore, të lypte në rrugë, me qëllim përfitimin e parave.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se më 6 nëntor 2026, ndaj personit me inicialet N.N. është ngritur kallëzim penal për veprën penale „trafikim me njerëz“, sipas nenit 418-a, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, gjatë viteve 2025 dhe 2026, 60-vjeçari ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë fizike dhe pozitën e varur të nënës së tij, e cila nuk ishte në gjendje t’i kryente në mënyrë të pavarur aktivitetet e përditshme.

Ai dyshohet se e dërgonte vazhdimisht në një lokacion në Gostivar dhe e detyronte të lypte, ndërsa qëndronte pranë saj, duke e mbikëqyrur dhe kontrolluar. Më pas, sipas MPB-së, ai ia merrte me forcë dhe në mënyrë të vrazhdë paratë e mbledhura, të cilat i përdorte për nevojat e tij personale.

Me urdhër gjykate nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, policia ka kryer bastisje në shtëpinë dhe ambientet e tjera të të dyshuarit në Gostivar, ku ai është privuar nga liria.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar përkohësisht telefona celularë dhe para që dyshohet se burojnë nga kryerja e veprës penale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit