Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur konkurs të ri për ndarjen e 3.000 bursave studentore për vitin akademik 2026/2027, me të cilin prezantohet një model i ri i shpërndarjes së mbështetjes shtetërore.
Sipas njoftimit të Ministrisë, pavarësisht futjes së kategorive të reja, numri i përgjithshëm i bursave mbetet i pandryshuar – 3.000. Koncepti i ri i ndan bursat në tri kategori kryesore.
Në kuadër të kategorisë për mbështetje sociale do të ndahen 1.200 bursa. Për herë të parë parashihen edhe bursa të veçanta për studentët me aftësi të kufizuara (50 bursa) dhe studentët me sëmundje të rralla (50 bursa).
Risi është edhe ndarja e 1.050 bursave strategjike për studentët e regjistruar në programe studimore me rëndësi të veçantë për shtetin, të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë. Në këtë kategori përfshihen matematika, fizika, kimia, bujqësia, pylltaria, biologjia për mësimdhënie dhe xehetaria.
Kategoria e tretë përfshin 750 bursa për studentët me sukses të lartë akademik dhe notë mesatare prej së paku 8,50.
Shuma mujore e bursave strategjike është 18.000 denarë, ndërsa bursat sociale dhe ato për sukses të lartë akademik janë 6.050 denarë në muaj. Pagesa bëhet për nëntë muaj gjatë vitit.
Aplikimi bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk, në periudhën nga 6 deri më 20 nëntor 2026.
Nga Ministria njoftojnë gjithashtu se është i hapur edhe konkursi për 15 bursa për studime në gjuhën maqedonase, si dhe konkursi për rimbursimin e mjeteve për blerjen e instrumenteve muzikore.








