Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka pritur një delegacion të Senatit të Francës, të kryesuar nga Marta de Sidrak, presidente e Grupit të Miqësisë Francë–Ballkani Perëndimor.
Gjatë takimit u diskutua për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, dialogun politik dhe bashkëpunimin parlamentar. Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e mbështetjes së rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sipas kabinetit të saj, presidentja vlerësoi se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Brukselit është zgjatur për shkak të pengesave që, sipas saj, kanë qenë edhe të natyrës identitare, e jo vetëm të lidhura me reformat.
Siljanovska-Davkova ngriti gjithashtu çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, duke vënë në pikëpyetje bazën juridike të disa prej kërkesave të lidhura me procesin e integrimit evropian.
Ajo u shpreh se Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut garanton të drejtat e komuniteteve dhe përmendi edhe qëndrimet e Komisionit të Venecias lidhur me të drejtat e pakicave.
Nga ana tjetër, Marta de Sidrak shprehu mirëkuptim për situatën në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut dhe konfirmoi mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të vendit.
Ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë anëtarësim në BE mbi bazën e meritës, ndërsa deklaroi se Grupi i Miqësisë Francë–Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të mbështesë dialogun dhe vlerat evropiane.






