Rama në OKB: AI po ndryshon mënyrën se si formohet opinioni, demokracitë duhet të mbrohen

Advertisement

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, foli kryesisht për ndikimin e inteligjencës artificiale në demokraci, informim dhe sigurinë e qytetarëve.

Rama paralajmëroi se rreziku kryesor nuk është që inteligjenca artificiale të dalë jashtë kontrollit të njerëzimit, por që ajo të përdoret nga njerëz apo struktura me qëllime të gabuara për të manipuluar opinionin publik.

Ai përmendi edhe rastin e asaj që e quajti “revolucioni i flamingove”, duke pretenduar se në Shqipëri janë shpërndarë përmes inteligjencës artificiale dhe rrjeteve online histori të rreme për një sulm izraelit ndaj bregdetit shqiptar. Sipas Ramës, raste të tilla tregojnë se teknologjia mund të përdoret për të krijuar dhe përhapur narrativa të ndryshme te grupe të ndryshme të qytetarëve.

Kryeministri shqiptar theksoi se inteligjenca artificiale mund të përdoret edhe për përmirësimin e shërbimeve publike. Ai përmendi “Diella”, të cilën e përshkroi si instrumentin e inteligjencës artificiale të integruar në strukturën qeveritare të Shqipërisë, duke thënë se synimi është rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve.

Rama kërkoi më shumë transparencë mbi mënyrën se si krijohet dhe shpërndahet përmbajtja politike e gjeneruar ose e manipuluar nga AI. Ai propozoi gjithashtu bashkëpunim ndërkombëtar dhe një sistem të përbashkët paralajmërimi për identifikimin e manipulimeve të koordinuara.

Në fund të fjalimit, Rama tha se Shqipëria zgjedh zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, por me përgjegjësi dhe me mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe demokracisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit