Irani thotë se është “shumë pranë” një marrëveshjeje me Omanin për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, por se një marrëveshje nuk do të jetë e mjaftueshme në vetvete për rihapjen e kësaj rruge ujore jetike.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se, sipas marrëveshjes, anijet do të kalonin nëpër ngushticë përmes një rruge të përkohshme, derisa vendet të binin dakord për një rrugë të re që do të zëvendësonte “Skemën e Ndarjes së Trafikut” (Traffic Separation Scheme), historike, të cilën anijet e përdornin para luftës.
Kjo rrugë ujore është mbyllur efektivisht nga Irani që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën në shkurt. Ajo është rruga kryesore për transportin e naftës bruto nga vendet e pasura me naftë, si Arabia Saudite dhe Kuvajti, drejt pjesës tjetër të botës.
Si Teherani, ashtu edhe Muscati kanë Zona Ekonomike Ekskluzive (EEZ) në ngushticë, shkruan CNN.
Sipas Kombeve të Bashkuara, një shtet ka “të drejta sovrane” për të eksploruar, shfrytëzuar, ruajtur dhe menaxhuar burimet natyrore të ujërave në EEZ-në e tij.
Megjithatë, sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), “anijet e të gjitha shteteve, qofshin shtete bregdetare apo pa dalje në det, gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor përmes detit territorial”.
Një shtet bregdetar nuk duhet të “pengojë kalimin paqësor të anijeve të huaja përmes detit territorial”, thuhet në konventë, përveç rasteve specifike të përcaktuara. Ai mund të “ndërmarrë hapat e nevojshëm në detin e tij territorial për të parandaluar kalimin që nuk është paqësor”, përcakton UNCLOS.






