Shqipëria me 6.500 vende të lira pune, përfshirë profesione të ndryshme

Mbi 6.500 vende të lira pune janë aktualisht të hapura në të gjithë Shqipërinë përmes portalit “puna.gov.al⁠”, duke ofruar mundësi të shumta punësimi për qytetarët me nivele të ndryshme arsimore dhe profesionale.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), pozicionet e shpallura përfshijnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe u drejtohen kandidatëve që nga arsimi profesional dhe i mesëm, deri te profesionet që kërkojnë diplomë universitare dhe kualifikime të specializuara.

AKPA bën të ditur se ndër profesionet më të kërkuara aktualisht renditen ekonomistët, menaxherët, specialistët e komunikimit, inxhinierët mekanikë, zhvilluesit e programeve kompjuterike, inxhinierët civilë, specialistët e financës, drejtuesit në tregti dhe inxhinierët e elektroteknologjisë.

Njëkohësisht, kërkesa mbetet e lartë edhe për profesione që nuk kërkojnë domosdoshmërisht diplomë universitare, veçanërisht në sektorët e shërbimeve, prodhimit dhe ndërtimit. Punëdhënësit kërkojnë punonjës pastrimi, punëtorë ndërtimi, ndihmëskuzhinierë, rrobaqepës, sistemues mallrash, prodhues këpucësh, kamarierë, shitës, shoferë të mjeteve të rënda, kuzhinierë dhe banakierë.

Aplikimi për vendet e lira të punës mund të kryhet onlajn përmes portalit “puna.gov.al”, ndërsa qytetarët që kanë nevojë për asistencë gjatë procesit mund t’u drejtohen zyrave të punësimit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit