Shënohet 20-vjetori i themelimit të Klubit ELITA

Me recitimin madhështor të ajeteve nga Kurani Famëlartë nisi zyrtarisht ceremonia e jubileut të 20-vjetorit të klubit ELITA, duke krijuar një atmosferë të veçantë emocioni, respekti dhe krenarie te të pranishmit.  Në këtë jubile të rëndësishëm u mblodhën qindra aktivistë, hoxhallarë dhe kontribuues të çështjes fetare e kombëtare nga Maqedonia е Veriut, Kosova dhe Shqipëria, të cilët ndër vite kanë qenë pjesë e pandashme e misionit dhe aktiviteteve të klubit.

Para të pranishmëve foli hoxhë Hasan Rexhepi, i cili rikujtoi me emocion sfidat, sakrificat dhe aktivitetet që kanë shënuar rrugëtimin e klubit ELITA përgjatë këtyre 20 viteve në shërbim të komunitetit dhe vlerave fetare e kombëtare.

HASAN REXHEPI – HOXHË

“Kemi mbajtur aktivitet që kemi treguar kulturën tonë, nëpërmjet artizanateve të cilat vazhdimisht i kanë mësuar brenda shoqatës. Ka pasur lloj lloj aktivitetesh të cilat kanë kontribuar dhe janë munduar që ta mësojnë të riun dhe të rejën tonë se si ta ruan, kulturën, edukatën dhe moralin e vet dhe mbi të gjitha këto që i përmenda, ta ruaj edhe fenë e vet”.

Një nga momentet më emocionuese të kësaj mbrëmjeje ishte ndarja e mirënjohjeve për themeluesit dhe kontribuuesit që lanë gjurmë në historinë e klubit.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së mirënjohjeve, kryetari i parë i klubit, Skender Rexhepi Zejdi, solli me mall kujtime dhe fjalë nga i ndjeri hoxhë Jakup Asipi, një prej figurave më të rëndësishme të këtij rrugëtimi.

SKENDER REXHEPI ZEJDI – KRYETAR I PARË

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij, edhe hoxhë Jakup Asipit iu nda mirënjohje post-mortem, të cilën e pranoi djali i tij mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Pas pranimit të mirënjohjes, para të pranishmëve foli edhe hoxhë Sabahudin Mamuti, i cili vlerësoi rolin dhe kontributin e klubit ELITA ndër vite.

SABAHUDIN MAMUTI, HOXHË  

“Jeta është shumë e shkurtër mirëpo për atë që dëshiron të punojë siç është klubi ELITA dhe shumë organizata tjera Elhamdulilah, më lejoni pak, një minut ta marr tepër, kjo është një periudhë që nëse dikush mendon se çati ka fillu klubi ELITA, gabon shumë. Ju harroni një periudhë që ka vlu ndër tokë, skemi pasë guximin dhe mundësinë të dalim mbi tokë. Atë periudhë e harrojmë ne, ky hoxhë që është para juve 1968-9, derset e atij në Jahja Pashë dikush hala i mban mend” 

Në përmbyllje të kësaj nate jubilare, përmes videopamjeve u rikujtuan momentet më të rëndësishme të klubit ELITA gjatë këtyre 20 viteve, duke sjellë emocione, kujtime dhe respekt për të gjithë ata që kontribuuan në suksesin dhe rrugëtimin e saj plot sfida e arritje.

Mevludin Imeri /SHENJA/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit