Ministria e Shëndetësisë punon vazhdimisht për përmirësimin e kujdesit ndaj personave me diabet, përmes sigurimit të terapisë bashkëkohore, pajisjeve ndihmëse mjekësore dhe krijimit të kushteve më të mira për monitorimin dhe kontrollin e sëmundjes.
Sensorët për monitorimin e glikemisë janë siguruar për 800 persona me diabet të tipit 1, në përputhje me Programin për Diabetin dhe konkluzionet e Komisionit Kombëtar për Diabetin.
Për këtë qëllim, është realizuar një procedurë e prokurimit publik, e cila është përmbyllur me lidhjen e kontratës në prill të këtij viti dhe e cila është e vlefshme deri në prill të vitit 2028. Me procedurën e fundit të prokurimit publik është siguruar terapi bashkëkohore me insulinë dhe terapi antidiabetike, në sasi të rritura.
Gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti, është kryer edhe zëvendësimi i të gjithë transmetuesve, në përputhje me protokollin, ndërsa pacientëve të përfshirë në Program u janë shpërndarë sasi sensorësh për një periudhë gjashtëmujore, përkatësisht deri në dhjetor të vitit 2026. Pacientët i marrin sensorët në barnatoret e insulinës, në përputhje me regjimin e përcaktuar.
Me sensorë janë përfshirë personat me diabet të tipit 1 deri në moshën 25 vjeç, gratë shtatzëna me diabet të tipit 1, personat e verbër me diabet të tipit 1, si dhe personat me diabet të tipit 1 që kanë komplikime dhe sëmundje shoqëruese më të rënda.
Në këtë mënyrë, në përputhje me mjetet buxhetore në dispozicion, prioritet u është dhënë kategorive më të cenueshme të pacientëve, me qëllim që të sigurohet monitorimi i vazhdueshëm i nivelit të glikemisë dhe menaxhimi më i mirë i sëmundjes.
Kujtojmë se sensorët për monitorimin e vazhdueshëm të glikemisë janë siguruar për herë të parë në vitin 2023, për 650 pacientë, ndërsa me prokurimin publik të realizuar në vitin 2026, numri i personave të përfshirë është rritur në 800.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e hapur për komunikim me organizatat e pacientëve dhe do të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e kujdesit ndaj personave me diabet.








