Kuvendi i Kosovës sot në orën 16:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e mbrëmshme të Arlinda Zekajt nga kunati i saj. Pas mbledhje së kryesisë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ftesat për këtë mbledhje deputetëve do të iu dërgohen shumë shpejt. “Kam nënshkruar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, e cila do të mbahet sot. Shumë shpejt ftesa për këtë seancë do t`iu dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë me dije se për këtë rast ka qenë në komunikim me kryeprokurorin e Shtetit dhe ministren e Drejtësisë.
“Kam qenë në komunikim me Kryeprokurorin e Shtetit, e po ashtu me ministren e Drejtësisë dhe sipas informacioneve që unë i kam, tashmë është kërkuar që të bëhet vlerësim i gjithë rastit nga fillimi deri në fund dhe të shihet nëse ka pasur dështim të zinxhirit institucional dhe janë dhënë zotimet që nëse do të dëshmohet dhe do të verifikohet që ka pasur dështim nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren veprime”, ka deklaruar ajo.
Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kjo seancë do të mbahet në orën 16:00.
“Përveç kësaj, më lejoni që të adresohem shkurtimisht për shkak se keni pasur interesim disa prej jush për rastin e fundit tragjik të vrasjes së tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj në Vitomericë të Pejës, për çka jo vetëm se e dënojmë, por besojmë si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, si deputet, si qytetar, që çdokush që ka qenë në zinxhirin, pra udhëheqës, secili që është përgjegjës për mospërgjegjjen ndaj kërkesës së Arlindës për drejtësi dhe për siguri, duhet të jetë përgjegjës. Në këtë drejtim kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për sot në ora 16:00”, ka thënë ajo, duke shtuar se në këtë seancë do të kërkohet formimi i një komisioni parlamentar për këtë çështje.
“Do të propozojmë, përveç të tjerash, edhe formimin e një komisioni hetimor parlamentar që duhet të shqyrtojë dhe të hetojë në të gjitha hallkat personat përgjegjës, jo vetëm për të adresuar më të drejtë rastin tragjik, gjithësisht rastin kriminal të vrasjes së tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj, por mbi të gjitha edhe për parandalimin e rasteve të tilla në të ngjashme. Janë raste të shumta të njëpasnjëshme që po na trondisin si shoqëri”, është shprehur ajo.
Për këtë çështje është deklaruar edhe Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlament të Aleancës.
Ai ka kërkuar shkarkimin e zyrtarëve institucionalë “të të gjitha niveleve” pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
“Si grup parlamentar e si subjekt politik, këtë akt barbar nuk e shohim vetëm si femicid por dështim të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri, duke treguar kërkesat e kësaj partie.
“Aleanca kërkon shkarkimin e të gjitha niveleve që kanë pasur të bëjë me rastin në fjalë”, është shprehur ai.








