SHBA-të në krizë pas atentatit: Politika, media dhe akuzat për ‘gjuhë urrejtjeje’

Republikanët në SHBA kanë nisur të përdorin atentatin e ndodhur gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë si pjesë të fushatës elektorale, duke akuzuar Partinë Demokratike për nxitje të dhunës politike përmes, siç e cilësojnë ata, “retorikës së rrezikshme dhe inflamatore” ndaj presidentit.

Kreu i Komitetit Kombëtar Republikan, Joe Gruters, e ka quajtur ngjarjen “rezultat i pashmangshëm i një të majte të radikalizuar që ka normalizuar dhunën politike”. Edhe përfaqësues të tjerë republikanë në rrjetet sociale kanë akuzuar kandidatë demokratë në shtete kyçe të zgjedhjeve të mesmandatit, si Michigan dhe North Carolina, se po ushqejnë tensionet politike në vend. Kjo retorikë është përsëritur edhe pas atentateve të mëparshme ndaj Donald Trump, si dhe pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk. Republikanët po e vendosin gjithnjë e më shumë çështjen e sigurisë në qendër të debatit politik, duke synuar të zhbllokojnë ngërçin 73-ditor në Kongres për financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i cili lidhet edhe me përplasjet mbi politikat e emigracionit.

Pas darkës në Washington Hilton, ku fillimisht kishte vlerësuar atmosferën dhe unitetin, Trump u rikthye me një ton më të ashpër, duke akuzuar demokratët për “gjuhë urrejtjeje” që, sipas tij, përbën rrezik për vendin. Ai reagoi gjithashtu ndaj një interviste televizive ku u lexuan pjesë nga “manifesti” i autorit të dyshuar të atentatit, duke e quajtur mbulimin mediatik “të turpshëm”.

Në këtë klimë të tensionuar, edhe Melania Trump reagoi ashpër ndaj komedianit Jimmy Kimmel, duke e akuzuar për gjuhë fyese dhe për nxitje të përçarjes politike në vend. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka përforcuar narrativën se presidenti dhe mbështetësit e tij po përballen me një “demonizim sistematik” nga pjesë të medias dhe politikës demokrate. Zëdhënësja Karoline Leavitt ka deklaruar se retorika e tillë “ushqen sjellje të dhunshme” dhe rrit rrezikun për incidente të ngjashme.

Nga ana tjetër, demokratët kanë dënuar dhunën politike dhe kanë kundërshtuar përpjekjet për t’ua atribuar atyre përgjegjësinë, duke theksuar mbështetjen për shërbimet e sigurisë dhe gatishmërinë për të miratuar financime për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, me përjashtime të caktuara për agjencitë e imigracionit.

 

Në përgjithësi, atentati i fundit po përdoret si një pikë e re përplasjeje në klimën tashmë të polarizuar politike në SHBA, duke thelluar debatin mbi gjuhën politike, sigurinë dhe përgjegjësinë publike në prag të zgjedhjeve të ardhshme. (Corriere della Sera)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit