SHBA mbyll pesë misione diplomatike, demokratët paralajmërojnë: Kina do të përfitojë nga tërheqja amerikane

Advertisement
  • Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar mbylljen e pesë misioneve diplomatike në Azi, Afrikë, Amerikën e Veriut dhe Karaibe, në kuadër të një plani për uljen e shpenzimeve. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga demokratët, të cilët paralajmërojnë se tërheqja e SHBA-së nga këto vende mund t’i hapë rrugë Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj diplomatik.

Kongresi amerikan është njoftuar zyrtarisht për planin, i cili vjen pas një rishikimi të gjerë të marrëdhënieve dypalëshe të administratës së presidentit Donald Trump, i rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Sipas dokumenteve të dorëzuara komisioneve të Kongresit, do të mbyllen misionet diplomatike amerikane në Sent Xhorxh (Grenada), Nagoja (Japoni), Medan (Indonezi), Duala (Kamerun) dhe Vinipeg (Kanada).

Ky veprim është pjesë e reformës së Departamentit të Shtetit, të udhëhequr nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Gjatë vitit të kaluar, departamenti reduktoi stafin me mbi 1.300 punonjës, përfshirë 246 diplomatë dhe 1.107 nëpunës civilë.

Sipas Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm (AFSA), më shumë se gjysma e 195 posteve të ambasadorëve amerikanë në mbarë botën vazhdojnë të jenë të paplotësuara, përfshirë vende me rëndësi strategjike si Gjermania, Kuba, Egjipti, Arabia Saudite dhe Pakistani.

Vendimi ka hasur në kritika nga demokratët, të cilët argumentojnë se reduktimi i pranisë diplomatike amerikane do t’i krijojë Kinës mundësi për të zgjeruar ndikimin e saj. Senatorja Jeanne Shaheen, anëtarja më e lartë demokrate në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, tha se Pekini tashmë ka prani diplomatike në tre nga pesë vendet ku SHBA po mbyll përfaqësitë.

“Pekini do ta shfrytëzojë këtë boshllëk për të vepruar kundër interesave amerikane”, deklaroi Shaheen.

Ajo theksoi se kostoja vjetore e funksionimit të këtyre misioneve përbën vetëm një pjesë të vogël të buxhetit të Departamentit të Shtetit, duke vënë në pikëpyetje arsyetimin financiar të vendimit.

“A ia vlen vërtet të tërhiqemi nga vende ku Kina tashmë është aktive?”, u shpreh senatorja.

Kina aktualisht nuk ka mision diplomatik në Vinipeg, por është e pranishme në Sent Xhorxh, Nagoja dhe Medan. Ndërkohë, përfaqësia amerikane në Sent Xhorxh gëzon statusin e ambasadës, ndërsa zyra në Duala funksionon si degë e Ambasadës së SHBA-së.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit