Sistemi “Qyteti i Sigurt” pritet të zgjerohet së shpejti në zonën e Sektorit të Punëve të Brendshme të Manastirit, duke përfshirë edhe qytetin e Prilepit.
Këtë e bëri të ditur drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, gjatë vizitës në Departamentin e Punëve të Brendshme në Prilep.
Sipas Janevit, aktualisht është duke u përgatitur dokumentacioni i projektit, ndërsa zbatimi i sistemit në këtë rajon pritet të nisë në muajt e ardhshëm.
Projekti parashikon më shumë se 40 pika në zonën e SPB Manastir, përfshirë edhe lokacione në Prilep.
Qëllimi i sistemit është monitorimi më efikas i trafikut dhe reagimi më i shpejtë i shërbimeve kompetente përmes përdorimit të teknologjisë moderne.
Janev theksoi se sistemi nuk do të shërbejë vetëm për sigurinë në trafik, por mund të përdoret edhe në punën policore, parandalimin e veprave, vërtetimin e fakteve dhe sigurimin e provave në procedura, si dhe për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Ai tha se ulja e numrit të viktimave në trafik dhe përmirësimi i kulturës së pjesëmarrësve në trafik janë ndër treguesit e rëndësishëm të sigurisë.
Janev u bëri thirrje shoferëve, këmbësorëve dhe çiklistëve që të respektojnë vazhdimisht shenjat dhe rregullat e trafikut.






